string(93) "mos-e-konsumoni-nje-salce-e-njohur-per-makarona-ne-britani-u-zbulua-se-permbante-copeza-qelqi"

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

05/05/2025 23:08

Mos e konsumoni – një salcë e njohur për makarona në Britani u zbulua së përmbante copëza qelqi

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

05/05/2025 23:08

Një salcë e njohur për makarona është tërhequr urgjentisht nga raftet e supermarketeve për shkak të frikës se kavanozët mund të jenë kontaminuar me copëza qelqi.

Autoritetet e sigurisë ushqimore kanë vendosur një paralajmërim “mos e konsumoni” mbi produktin Organic Alla Norma Sauce – i bërë me patëllxhan, domate dhe hudhër.

Dyshohet se produkti, i shitur në shitës të ndryshëm përfshirë edhe supermarketin luksoz online Ocado, mund të përmbajë copëza qelqi.

Prodhuesi Organico tha se tërheqja nga tregu prek vetëm një grup të caktuar të produktit, me numrin e lotit 140227 dhe afatin e përdorimit deri më 14 shkurt 2027.

Shitësi theksoi:

“Ju lutemi, mos e konsumoni produktin. Kthejeni tek shitësi për një rimbursim. Nëse shitësi nuk pranon kthimin, ju lutemi kontaktoni drejtpërdrejt me ne për rimbursim. Kërkojmë ndjesë për këtë situatë dhe për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar.”

Megjithatë, Organico nuk dha detaje se si kanë përfunduar copëzat e qelqit në produkt.

Agjencia e Standardeve Ushqimore e Mbretërisë së Bashkuar (FSA), e cila lëshoi paralajmërimin, tha gjithashtu:

“Njoftime për tërheqjen e produktit do të vendosen në të gjitha dyqanet që e shesin atë. Këto njoftime shpjegojnë përse po tërhiqet produkti dhe çfarë duhet të bëjnë konsumatorët nëse e kanë blerë.”

Agjencia shtoi:

“Nëse keni blerë produktin e përmendur më sipër, mos e konsumoni. Në vend të kësaj, kthejeni tek shitësi ku e keni blerë për të marrë rimbursim.”

FSA lëshon paralajmërime dhe urdhra për tërheqje produktesh kur zbulohen probleme serioze që e bëjnë ushqimin të pasigurt për konsum. /GazetaExpress/