Një tjetër përmbysje në pjesën e dytë i dha Milanit tre pikë të vlefshme në transfertë ndaj Genoas të hënën mbrëma në Serie A, pas golave të zëvendësuesve Vitinha, Rafael Leao dhe një autogoli nga kapiteni i Genoas, Morten Frendrup.
Në një vendim befasues nga trajneri Sergio Conceicao, Leao nuk u përfshi në formacionin titullar në “Marassi”, duke u zëvendësuar nga Ruben Loftus-Cheek. Në anën tjetër, Patrick Vieira riktheu në formacion Stefano Sabellin, Junior Messiasin dhe Andrea Pinamontin.
Milani e nisi ndeshjen mirë me disa goditje nga këndet, por pa arritur të rrezikonte portierin Nicola Leali. Tentativa e parë serioze erdhi nga Brooke Norton-Cuffy, i cili provoi një goditje diagonale nga e djathta, por Mike Maignan u tregua i gatshëm me një pritje të mirë.
Theo Hernandez u përpoq të surprizonte me një goditje spektakolare nga mbi 70 metra largësi, por topi nuk mori drejtimin e duhur dhe përfundoi jashtë.
Momenti më i veçantë i pjesës së parë erdhi nga Maignan, i cili realizoi një pritje të jashtëzakonshme të dyfishtë pas një goditjeje këndi – fillimisht duke ndalur topin në vijën fatale, pastaj duke pritur goditjen pasuese me thembër.
Përpara pushimit, Leali ndali edhe një goditje të Christian Pulisic, pas një pasimi të shkëlqyer nga Leao, i cili hyri në lojë në minutën e 28-të pas dëmtimit të Youssouf Fofanas.
Pjesa e dytë nisi e fragmentuar për shkak të trajtimeve për Patrizio Masinin dhe Tijjani Reijnders. Gjithsesi, Vitinha, i sapofutur në fushë në minutën e 60-të, zhbllokoi rezultatin me një goditje të saktë me thembër nga një asist i Aaron Martinit. Ky ishte goli i tij i parë në këtë sezon.
Por Milani reagoi shpejt me dy gola brenda pak minutash. Fillimisht, Santiago Gimenez asistoi nga e djathta për Leao, goditja e të cilit u devijua nga Norton-Cuffy dhe përfundoi në rrjetë – goli i tretë i Leao-s si zëvendësues këtë sezon në Serie A.
Vetëm dy minuta më pas, Reijnders shërbeu një top të ulët nga e majta që po shkonte për Joao Felix, por Frendrup ndërhyri keq dhe realizoi autogol për 1-2.
Kjo fitore nuk solli ndryshime në renditjen e Serie A – Milani qëndron në vendin e nëntë, ndërsa Genoa mbetet e 13-ta.