Roma ka grumbulluar 50 pikë në 23 ndeshje të Serie A nën drejtimin e Claudio Ranierit – vetëm Napoli ka bërë më mirë gjatë kësaj periudhe, me 51 pikë.
Po të kishte nisur sezoni në momentin kur Ranieri mori drejtimin në nëntor, Roma do të ishte e dyta në tabelë.
Fatkeqësisht për Giallorossët, Ranieri ishte trajneri i tretë i emëruar gjatë sezonit 2024-25, pas shkarkimeve të Daniele De Rossit dhe Ivan Juric.
Siç raportoi “Radio Serie A” në “Instagram”, skuadra ka pësuar transformim të jashtëzakonshëm nën drejtimin e teknikut 73-vjeçar.
Roma ka marrë një pikë më shumë se Interi në 23 javët e fundit, gjashtë më shumë se Bologna, shtatë më shumë se Atalanta dhe 11 më shumë se Juventusi.
Nuk ka humbur asnjë ndeshje në kampionat që prej 15 dhjetorit dhe aktualisht ndodhet në vendin e pestë, me pikë të barabarta me Juventusin dhe Lazion që ndajnë vendin e katërt.
Kur Ranieri u emërua në fillim të nëntorit, Roma ishte vetëm katër pikë mbi zonën e rënies nga kategoria. Tani është në garë të plotë për një vend në Ligën e Kampionëve.
Pas ndeshjes së fundit, Ranieri tha për DAZN:
“Nuk e di se ku mund të shkojmë nga këtu. Gjithmonë kërkoj maksimumin nga lojtarët. U them se kur të jemi në plazh këtë verë, nuk duhet të kemi asnjë keqardhje. Duhet të jemi të lumtur për atë që kemi arritur.”
Ai shtoi: “Sot luajtëm kundër një skuadre shumë të fortë, teknikisht të shkëlqyer. Donim t’i shtynim lart, por nuk mundëm sepse ata qarkullonin topin shumë mirë. Kështu që bëmë një ndeshje të madhe, plot sakrificë – dhe kjo është ajo që më bën më krenar. Sepse kur kërkoj një performancë, Roma gjithmonë e jep.”/GazetaExpress/