Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, pranoi se Lamine Yamal mund të jetë lojtari më i mirë që ka përballuar ndonjëherë në karrierën e tij dhe theksoi se Nerazzurrët kanë mësuar nga gabimet e ndeshjes së parë kundër Barcelonës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
Bastoni iu bashkua trajnerit Simone Inzaghi në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes vendimtare që do të luhet në San Siro, pas barazimit spektakolar 3-3 në “Camp Nou” javën e kaluar.
I pyetur nga Sky Sport Italia nëse Yamal, i cili shënoi një gol kundër Interit, është lojtari më i mirë që ka përballuar, Bastoni u përgjigj:
“Mendoj se po. Kam luajtur kundër tij në Europian kundër Spanjës, por atëherë nuk ishte në këtë nivel. Më ka impresionuar për sa shumë është përmirësuar.”
Ai shtoi: “Kam luajtur kundër shumë lojtarëve të mëdhenj, por për moshën dhe aftësinë për të krijuar diçka nga asgjëja, është një nga më të mirët, në mos më i miri.”
Në konferencën për shtyp, përmes TMË, Bastoni tha:
“Do të japim 200%; e dimë që kjo nuk ndodh çdo vit. Nuk shohim dot orën që të vijë dita e nesërme. Pamë shumë video, por të luash kundër tyre është diçka krejt tjetër. Do të mësojmë nga ajo ndeshje; bëmë disa pasime të këqija që mund të kishin sjellë gola kundër nesh.”
Sa i përket Lautaro Martinez, ai pritet të stërvitet pjesërisht me skuadrën, por mbetet në dyshim për ndeshjen e nesërme.
“Kam thënë gjithmonë që ndoshta nuk jemi ndër katër ekipet më të mira individualisht në Europë, por jemi të jashtëzakonshëm si grup,” shtoi Bastoni.
Ai theksoi përvojën që ai, Acerbi dhe Pavard sjellin në mbrojtje, por edhe se duhet pasur parasysh freskia e lojtarëve të Barcelonës:
“Ne do të sjellim pikat tona të forta në fushë, si moralisht ashtu edhe fizikisht. Ndeshja e parë na dha një ide të qartë për Barcelonën.”
Për Benjamin Pavard, i cili ka fituar 40 nga 50 ndeshje në Ligën e Kampionëve, Bastoni u shpreh:
“Shpresoj të arrijë në 42 – që do të thotë se kemi fituar trofeun. Ka qenë një përforcim i shkëlqyer, ka fituar Kupën e Botës dhe Ligën e Kampionëve. Nuk kam nevojë ta përshkruaj më shumë. Shpresoj të rikthehet shpejt.”
Kur u pyet nëse Interi ka prioritet Ligën e Kampionëve mbi Serie A-n, ai u përgjigj:
“Asnjëherë nuk kam dëgjuar trajnerin të na thotë që të mos përqendrohemi në kampionat për të fituar Ligën e Kampionëve. Rënia është normale, dhe pavarësisht gjithçkaje, jemi vetëm tre pikë larg vendit të parë dhe dy ndeshje larg finales.”
Sa i përket polemikave për gjyqtarin Szymon Marciniak, që disa media katalanase e kanë cilësuar si simpatizant të Real Madridit, Bastoni tha:
“E kemi pasur disa herë, pavarësisht rezultateve. Më pëlqen si gjyqtar sepse është dikush me të cilin mund të flasësh”./GazetaExpress/