Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se do të jetë transparent pasi sot mori një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili i kërkoi koalicion.
Ai tha se qëndrimet e LDK-së tashmë dihen.
“Pritni. Keni durim. Do të jem transparent si çdoherë tjetër. Qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, iu tha ai gazetarëve në afërsi të selisë së partisë.
Abdixhikut, i cili ka refuzuar dy herë që të takohet me të, Kurti i tha se “nevojitet marrëveshje politike”, duke i kërkuar sërish takim për ta diskutuar mundësinë për bashkëqeverisje.
“Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, thuhet ndër tjerash në letrën që Kurti ia çoi Abdixhikut.