string(73) "rama-reforma-e-pensioneve-solli-drejtesi-synojme-pension-mesatar-400-euro"

Shqiperi

Gazeta Express

05/05/2025 13:08

Rama: Reforma e pensioneve solli drejtësi, synojmë pension mesatar 400 euro

Shqiperi

Gazeta Express

05/05/2025 13:08

Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste, gjatë një takimi elektoral në Devoll, vuri në dukje ndarjen që solli reforma e pensioneve e vitit 2014, duke theksuar se sot ekzistojnë dy blloqe pensionesh, para dhe pas kësaj reforme.

“Sot kemi dy blloqe pensionesh: deri në vitin 2013 dhe pas vitit 2014. Vija ndarëse është reforma jonë e 2014-ës. E gjetëm pensionin mesatar 111 euro dhe sot është 300 euro”, tha Rama.

Sipas tij, pensionet pas vitit 2014 janë më të larta dhe më të drejta, pasi sistemi i ri bazohet mbi kontributet e individëve dhe jo në asistencë sociale.

Ai shtoi se më parë mbi pensionet ishte vendosur një tavan prej 24 mijë lekësh të reja.

“Për 20 e ca vite nuk u bë një sistem i vërtetë pensionesh, dhe kjo është edhe përgjegjësi e PS-së së asaj kohe. Por ne e ndërtuam sistemin dhe vumë rregullin që pensioni të dalë sipas kontributit”, tha Rama.

Ai pranoi se situata me pensionet minimale është e vështirë, veçanërisht në zonat rurale, por theksoi se qeveria nuk ka ndërmend të përmbysë sistemin aktual.

“Do të vazhdojmë të konsolidojmë sistemin, të rrisim të ardhurat nga sigurimet dhe pensionet”, tha Rama, duke shtuar se synimi është që pensioni mesatar në Shqipërinë e vitit 2030 të arrijë në 400 euro.

Për ata me pensione nën 200 euro, veçanërisht në fshat, qeveria ka vendosur të japë bonuse shtesë.

“Kemi vendosur bonuset sepse ekonomia po shkon mirë. Por nuk do të lëmë këtë situatë. Për shkak se ekonomia po përmirësohet dhe këtu luan një rol të veçantë edhe futja në BE, duam që në Shqipërinë 2030 të mos ketë më asnjë pension nën 200 euro”, deklaroi Rama.