Presidenti amerikan Donald Trump ka ripërtërirë ‘kërcënimin’ e tij për aneksimin e Grenlandës duke mos përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake. Në një intervistë të dhënë për NBC News, Trump ka folur për mundësinë që ta bëjë këtë territor të vetëqeverisur danez pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Ky është komenti më i fundit i presidentit amerikan në lidhje me ishullin e pasur me burime natyrore.
“Nuk thashë se do ta bëj, por nuk përjashtoj asgjë”, ishte komenti i Trump gjatë intervistës, duke shtuar se Grenlanda i nevojitet shumë ShBA-së për sigurinë kombëtare.
Kujtojmë se Trump ka shprehur vazhdimisht interes për blerjen ose marrjen me forcë të ishullit, përkundër që Danimarka dhe Grenlanda e kanë refuzuar fuqishëm këtë ide.
Kryeministri i Grenlandës Jens-Frederik Nielsen ka thënë në muajin mars se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Presidenti Trump thotë se Shtetet e Bashkuara ‘do ta marrin Grenlandën.’ Le të jem i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk do ta marrin. Ne nuk i përkasim askujt tjetër. Ne vendosim për të ardhmen tonë,” është shprehur ai.
Nëse kthehemi të insistimi i presidentit amerikan për marrjen e ishullit, sipas ekspertëve janë disa faktorë që kanë ndikim; Grenlanda ka një pozicion të veçantë gjeopolitik pasi qëndron midis ShBA-së dhe Evropës ku mund të ndihmonte në ndonjë sulm të mundshëm rus. Poashtu ishulli ndodhet përgjatë një rruge kyçe transporti dhe është pjesë e hendekut Grenlandë-Islandë-Mbretëri e Bashkuar – një rajon i rëndësishëm detar.
Megjithatë, ekspertët shtojnë se Trump mund të jetë duke synuar Grenlandën edhe për pasuritë natyrore që ka, si gazin dhe metale të rralla që kërkohen shumë për automjete elektrike, turbina të erës e pajisje ushtarake. E me ndryshimin e klimës dhe shkrirjen e akullit këto pasuri do të bëheshin më të aksesushme.
Kujtojmë poashtu se Grenlanda nuk është i vetmi territor i synuar nga Trump, pasi ai ka kërcënuar vazhdimisht edhe për aneksimin e Kanadasë duke thënë se do ta bëjë atë “shtetin e 51-të” të ShBA-së, gjë që ka ndikuar në prishjen e marrëdhënieve mes dy aleatëve të vjetër.
Rikujtojmë se që nga marrja e presidencës nga Trump, ai ka shprehur dëshirën për ankesimin e Grenlandës, gjë që ka ngjallur pyetje të shumta për sigurinë e ishullit, ndërkohë që edhe Kina e Rusia janë në garë për ndikim në Arktik.