string(83) "arrestimi-i-alexander-bezrukavyit-ne-beh-zbulon-rrjetin-rus-te-sabotazhit-ne-evrope"

Lajme

Gazeta Express

05/05/2025 12:04

Arrestimi i Alexander Bezrukavyit në BeH zbulon rrjetin rus të sabotazhit në Evropë

Lajme

Gazeta Express

05/05/2025 12:04

Arrestimi i shtetasit rus Alexander Bezrukavyi në në Bosnjë dhe Hercegovinë ka zbuluar një rrjet të gjerë sabotazhi të lidhur me shërbimet e inteligjencës ruse, i cili operonte nëpër Evropë. Bezrukavyi, i njohur për të kaluarën e tij kriminale, dyshohet se ishte pjesë e një komploti për të dërguar pako me eksplozivë të kamufluar në vende të ndryshme, duke përfshirë SHBA-në dhe Kanadanë.

Sipas të përditshmes britanike The Guardian, arrestimi i Bezrukavyit shënoi hapin e parë në shkatërrimin e kësaj strukture të organizuar kriminale e cila dyshohet se qëndron nën patronazhin rus. Ai ishte në arrati nga Kroacia, duke kaluar për dy ditë nëpër pyjet në veriperëndim të Bosnjës për të hyrë në territorin e saj.

Pasi i kishte dërguar një mesazh gruas së tij duke i premtuar se së shpejti do të bashkoheshin në Rusi, Bezrukavyi kishte tentuar të përgatiste kthimin përmes dokumenteve të falsifikuara dhe një fluturimi nga Serbia.

Më 16 nëntor 2024, Bezrukavyi u arrestua nga policia e kantonit Una-Sana në Bosansku Krupë, në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë (OSA). Ai kishte hyrë ilegalisht në Bosnjë dhe Hercegovinë nga Kroacia, duke përdorur dokumente të falsifikuara spanjolle .

Hetuesit polakë dyshojnë se Bezrukavyi ishte pjesë e një komploti për të dërguar pajisje shpërthyese edhe në SHBA dhe Kanada – një veprim që do të përbënte një përshkallëzim të madh të fushatës së sabotimeve të dyshuara nga Moska në tre vitet e fundit.

Rasti thuhet se është ndjekur deri në nivelet më të larta të inteligjencës amerikane, ndërsa zyrtarë të lartë të administratës së ish-presidentit Joe Biden i kanë kërkuar Moskës ndalimin e këtyre veprimeve.

Bezrukavyi dyshohet gjithashtu se ka trajnuar qytetarë moldavë në Bosnjë dhe Hercegovinë për të organizuar protesta dhe trazira në Moldavi, me qëllim destabilizimin e qeverisë pro-evropiane të vendit. Kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për të ndikuar në proceset demokratike në vendet e Evropës Lindore.

Arrestimi dhe ekstradimi i Bezrukavyit në Poloni u përshëndet nga autoritetet polake si një goditje e rëndësishme ndaj aktiviteteve sabotazhe të Rusisë në Evropë. Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se ky veprim konfirmon përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve perëndimore .

E kaluara kriminale dhe rruga e arratisjes

Sipas dokumenteve ruse, Bezrukavyi ishte i kërkuar për vepra të shumta penale, përfshirë armëmbajtje pa leje, grabitje dhe trafik droge. Ai kishte qenë aktiv në Donjeck duke kontrabanduar cigare nga territori i kontrolluar nga separatistët në Rusi. Më pas u zhvendos në Ukrainë, ku qëndroi për një kohë gjatë luftës, e më pas përmes Moldavisë, Kroacisë dhe Spanjës, arriti në Bosnje.

Në Spanjë kishte marrë leje qëndrimi përmes një martese fiktive, ndërsa në Varshavë u lidh me bashkëpunëtorët ukrainas. Ata përfituan nga platformat e Telegram-it për të siguruar punë të paguara në kriptovaluta, të cilat përfundimisht rezultuan si pjesë e një rrjeti sabotuese.