Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Florenc Çapjan, disa ditë pas ekstradimit të tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Çapja u shoqërua në Shqipëri më 2 maj 2025, nën masa të rrepta sigurie. Ai akuzohet nga SPAK se ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, ngjarje që nuk u realizua. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, të penduarit të drejtësisë, Çapja i kishte ofruar atij 200 mijë euro për ekzekutimin, për shkak të lidhjeve të dyshuara të viktimës me Suel Çelën, një kundërshtar i familjes Çapja.
Florenc Çapja është gjithashtu i dënuar me burg përjetë për porositjen e vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012 në Elbasan. Ngjarja ndodhi në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri ndodhej në arrest shtëpie. Vrasja dyshohet se u krye për motive hakmarrjeje, pas ekzekutimit të Sokol Çapjas në vitin 2005.