Një 28-vjeçar i kërkuar me urdhër të Gjykatës së Barcelonës është arrestuar në Shkodër nga Forcat Operacionale gjatë aksionit të koduar “Operacionalja 45”.
Atij i ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike, pasi dyshohet se kishte kultivuar bimë kanabisi me llamba në Spanjë, në të ashtuquajturat “shtëpitë e barit”.
28-vjeçari Elton Kola u kap në aksin “Vau i Dejës–Shkodër”, falë koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët spanjollë, përmes INTERPOL-it, ndërsa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Spanja.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve, me partnerët spanjollë, nëpërmjet INTERPOL, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 45”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasin E. K., 28 vjeç, të lindur në Shkodër.
Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse Gjykata e Barcelonës, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin, për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi.