Sjellja e fundit e Justin Bieber ka ngritur shqetësime serioze mes njerëzve të afërt të tij, të cilët flasin për një person që duket se po humbet kontrollin.
Edhe pse vetëm tetë muaj më parë ai u bë baba për herë të parë me lindjen e djalit Jack Blues, që ka me bashkëshorten Hailey Bieber, këngëtari 31-vjeçar thuhet se është larguar nga jeta familjare dhe ka hyrë në një periudhë vendimesh impulsive, shpenzimesh të tepruara dhe shoqërimesh të çuditshme.
“Një pjesë e madhe e rrethit të tij është shumë e shqetësuar,” u shpreh një mik i afërt për New York Post. “Del live në Instagram, pi marijuanë dhe duket plotësisht jashtë vetes.”
Sipas të njëjtave burime, Bieber po shpenzon shumë më tepër sesa fiton. Vetëm gjatë festivalit Coachella, ai thuhet se shpenzoi 300 mijë dollarë për një darkë në restorantin luksoz Nobu.
Gjatë fundjavës së dytë të festivalit, ai u shfaq në gjendje të rraskapitur, gjysmë i zhveshur dhe duke pirë, pranë vëllait të tij 15-vjeçar Jaxon, ndërsa Hailey përpiqej ta tërhiqte me takt nga skena.
Megjithëse ka një pasuri që llogaritet në rreth 300 milionë dollarë, shumica prej të cilave nga shitja e të drejtave të katalogut muzikor për 200 milionë në vitin 2023, burime të afërta pretendojnë se situata e tij financiare është e paqëndrueshme.
Që prej publikimit të albumit Justice në vitin 2021, ai nuk ka nxjerrë muzikë të re, edhe pse sipas Hollywood Reporter, po përgatit një projekt të ri muzikor.
Turneu i tij i fundit u anulua në vitin 2022 pas diagnostikimit me sindromën Ramsay Hunt të tipit 2, një sëmundje që i shkaktoi paralizë të përkohshme të fytyrës.
Anulimi i turneut thuhet se i ka kushtuar rreth 90 milionë dollarë në të ardhura të humbura, ndërsa ndaj kompanisë AEG kishte një borxh prej mbi 20 milionë dollarësh, shumë që u mbulua me një hua nga ish-menaxheri i tij, Scooter Braun.
Pavarësisht situatës, Bieber ruan një stil jetese luksoz me gjashtë rezidenca, përfshirë një vilë 26 milionë dollarëshe në Beverly Hills, një shtëpi 16 milionë dollarëshe në La Quinta dhe një tjetër në Idaho. Pushimet e shpeshta dhe sigurimi personal 24/7 janë ende pjesë e përditshmërisë së tij.
Nga ana tjetër, Hailey Bieber ka patur sukses me markën e saj të bukurisë Rhode, por burime të brendshme pohojnë se pavarësisht popullaritetit, kompania ende nuk ka gjeneruar fitime, pasi të gjitha të ardhurat riinvestohen në marketing.
“Nëse arrijnë të shesin Rhode, atëherë do të bëhen vërtetë të pasur. Deri atëherë, likuiditeti është problem,” thotë një person i afërt me çiftin.
Ndërkohë, Justin Bieber ka larguar nga rrethi i tij i ngushtë disa nga bashkëpunëtorët më të besuar. Ish-menaxheri i tij, Scooter Braun, njoftoi largimin në qershor 2024, ndërsa kanë ndjekur edhe drejtuesja Allison Kaye, shefi i sigurisë Kenny Hamilton dhe menaxherja personale Lauren Walters. Këngëtari madje u ka hequr edhe ndjekjen në Instagram.
Së fundmi, Bieber shkaktoi habi me një postim në rrjetet sociale – që më pas e fshiu – ku deklaronte se nuk ka më asnjë lidhje me markën e veshjeve Drew House, të cilën e themeloi në vitin 2019 me mikun e tij të ngushtë Ryan Good.
“Nëse më mbështesni si person, mos shpenzoni më paratë tuaja për Drew House,” shkruante ai, duke shtuar se marka “nuk përfaqëson më jetën apo familjen time”.