Kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, Bledjon Nallbati, ka reaguar pas përfshirjes së tij dhe vëllait të tij në një konflikt fizik me shoferin e një kamioni një ditë më parë në Bilisht. Në një prononcim për mediat, Nallbati ka sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke theksuar se ka tentuar disa herë të shmangë përplasjen, por emocionet dhe sjellja e drejtuesit të kamionit e çuan situatën në një konflikt.
“Pranoj me përgjegjësi të plotë që duhet të qëndroja me maturi ndaj këtyre lloj provokimesh, megjithatë jam njeri para se të jem politikan”, ka deklaruar Nallbati.
Ai ka mohuar akuzat se ai dhe vëllai i tij, Alti Nallbati, i cili është arrestuar, i kanë prerë rrugën kamionit. Sipas tij, ata po udhëtonin nga Kapshtica në qytet dhe ishin detyruar të ulën shpejtësinë për shkak të një gropë në rrugë. Ndërkohë, kamioni që ishte pas tyre, udhëtonte me shpejtësi dhe mund të kishte shkaktuar një aksident.
“Nuk është e vërtetë që unë apo vëllai im i kemi prerë rrugën kamionit. Po udhëtonim nga Kapshtica drejt qytetit, dhe në rrethrrotullim është hapur një gropë, të cilën këta pushtetarë që keqinformojnë ngjarjen nuk e riparojnë. Mjeti im uli shpejtësinë, ndërsa kamioni ishte pas me shpejtësi dhe mund të pësonim aksident. Në këto kushte ndaluam, dhe doli vëllai im që ishte shofer, e pas tij unë”, shpjegon Nallbati.
Kandidati i PD-së ka theksuar se ka tentuar ta shmangë çdo lloj përplasjeje dhe se reagimi i shoferit të kamionit ka qenë i papërshtatshëm, duke sjellë një konflikt që ai e konsideron të paevitueshëm.