Qyteti i Shkupit, nën udhëheqjen e kryetares Danella Arsovska, është institucioni publik më i shquar për mosrespektimin e Ligjit për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik (LQLIKP) gjatë vitit 2024. Sipas raportit vjetor të Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik, Qyteti i Shkupit nuk ka vepruar sipas gjashtë vendimeve të Agjencisë, duke shkelur detyrimin ligjor për t’i siguruar qytetarëve dhe kërkuesve të informacionit qasje në dokumente publike, raporton Portalb.mk.
“Është e pashmangshme të përmenden mbajtësit e informacionit të cilët kanë detyrim ligjor të paraqesin njoftim në Agjenci për veprimet e ndërmarra pas vendimeve të marra nga Agjencia, me anë të të cilave ata urdhërohen të zbatojnë LQLIKP-në dhe të veprojnë sipas kërkesës në fjalë, ose lënda u kthehet për riveprim, ose janë të detyruar t’ia japin informacionin e kërkuar kërkuesit”, thuhet në raportin zyrtar të publikuar nga institucioni.
Nga gjithsej 213 vendime në favor të kërkuesve të informacionit gjatë vitit 2024, në 43 raste nuk është ndërmarrë asnjë veprim, ndërsa Shkupi udhëheq me listën e moszbatuesve.
Përveç Shkupit, raporti përmend edhe institucione të tjera që kanë injoruar nga një ose më shumë vendime të Agjencisë, si: Komuna e Karposhit, Komuna e Qendrës, Ministria e Kulturës, Agjencia e Postave, Shoqata e Avokatëve, Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe disa shkolla, gjykata dhe ndërmarrje publike.
Mbajtësit e informacionit që nuk kanë vepruar sipas vendimeve të Agjencisë
Gjatë vitit 2024, nga 213 vendime që mbështetën ankesën, nuk u ndërmor asnjë veprim për plot 43 vendime të lëshuara nga Agjencia. Autoritetet publike të shkallës së parë që nuk vepruan sipas vendimeve të Agjencisë janë: Qyteti i Shkupit nuk veproi sipas 6 vendimeve të Agjencisë, ndërsa sipas 2 vendimeve të Agjencisë nuk vepruan këto institucione: Komuna e Karposhit, Komuna e Qendrës, Komuna e Ohrit, Komuna e Negotinës dhe Ministria e Kulturës.
Mbajtësit e mëposhtëm të informacionit që nuk vepruan sipas një vendimi të Agjencisë janë: Agjencia e postave, Kabineti i kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Shoqata e Avokatëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, NP Ujësjellësi Kumanovë, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, Inspektorati Shtetëror i Tregut, ISHP Klinika për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, NP Vodna Kula Zrnovci, NP për Rrugë Shtetërore, NP Parku Kombëtar Galiçica, Ministria e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Prokuroria Themelore Publike Koçan, Shkolla Fillore “Marshall Tito” Strumicë, Gjykata Themelore Prilep, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, Komuna e Dollnenit, Komuna e Velesit, Komuna e Tetovës, Komuna e Kavadarit, VMRO-DPMNE, NPK Strumicë, Gjykata Themelore Civile, Ndërmarrja e Transportit Publik “Shkupi” dhe Oda e Stomatologjisë e Maqedonisë.
Problem më vete mbetet edhe praktika e kundërshtimit të vendimeve të Agjencisë nga ana e vetë institucioneve publike, të cilat, në vend që të zbatojnë vendimet, i padisin ato në Gjykatën Administrative. “Midis tyre janë Qyteti i Shkupit, Agjencia e Postave dhe Ministria e Financave”, thekson raporti. Vetëm Qyteti i Shkupit ka ngritur katër padi të tilla gjatë vitit 2024.
“Jo më pak e rëndësishme është “praktika” negative e disa mbajtësve të informacionit të cilët, në vend që të veprojnë sipas vendimeve të Agjencisë, marrin vendimet e tyre në kundërshtim me vendimet e Agjencisë, ose ngrenë padi kundër vendimeve të Agjencisë. Midis tyre janë Qyteti i Shkupit, Agjencia e Postave dhe Ministria e Financave”, thuhet në raport.
Agjencia nisi procedura kundërvajtëse kundër disa zyrtarëve te mbajtësit e informacionit, ndërsa kundër disa prej tyre nuk u nis asnjë procedurë kundërvajtëse për shkak se u iniciuan mosmarrëveshje administrative. Nuk u iniciua asnjë procedurë kundërvajtjeje as kundër disa zyrtarëve të cilët, me iniciativën e tyre, i paraqitën Agjencisë prova se kishin ndërmarrë gjithçka të nevojshme brenda fushëveprimit të tyre të punës, por njësitë organizative që në fakt krijuan ose disponojnë me informacionin e kërkuar nuk ua paraqitën të njëjtën atyre që të publikohej ose ndërmjetësohej/dorëzohej kërkuesit të informacionit.