string(117) "103-milione-euro-humbje-ne-trust-per-vetem-kater-muaj-oek-kerkon-investim-te-mjeteve-ne-kosove-permes-nje-ligji-te-ri"

Lajme

Gazeta Express

04/05/2025 9:26

103 milionë euro humbje në Trust për vetëm katër muaj, OEK kërkon investim të mjeteve në Kosovë përmes një ligji të ri

Lajme

Gazeta Express

04/05/2025 9:26

Vetëm për katër muaj, mjetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trustit) kanë shënuar një rënie drastike mbi 103 milionë euro, duke ngjallur shqetësime për mënyrën se si menaxhohen fondet e pensionistëve të ardhshëm.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në intervistë për Ekonomia Online, shprehu shqetësim për këto ecuri , por tha se humbjet nuk varen vetëm nga menaxhimi i brendshëm i Trustit.

Ai përmendi ndikimin e zhvillimeve ndërkombëtare, veçanërisht politikave të ndërmarra në SHBA.

“Është shqetësuese, nuk është diçka që varet vetëm prej Trustit. Këto janë edhe bursa të huaja, janë edhe investime nëpër organizata të ndryshme që ato kanë qenë të afektuara për shkak të politikave që kanë ardhur së pari nga Shtëpia e Bardhë, politikave të Trumpit. Kështu që nuk është afektuar vetëm Kosova apo vetëm Trusti, por janë afektuar edhe vendet e tjera me shpresë që do të stabilizohet. Pritet për t’u parë”, tha ai.

Rafuna sugjeroi që Qeveria e Kosovës të ndërhyjë me një qasje strategjike ndaj mjeteve të Trustit, duke kërkuar një ligj të veçantë për orientimin e këtyre fondeve drejt investimeve të brendshme zhvillimore, në vend të mbështetjes te tregjet e jashtme.

Ai përmendi si shembull ndërtimin e një termocentrali me gaz, duke e cilësuar atë si projekt për vendin.

“Te Trusti kur jemi, Qeveria e Kosovës duhet ta mendojë një plan, një ligj që këto mjete të Trustit me normën e njëjtë me sigurinë e plotë juridike, nëpërmjet një ligji të kaluar në Kuvendin e Kosovës, mund t’i marrë këto mjete edhe t’i kthejë në investime për projekte konkrete zhvillimore dhe të mos i lejojë që këto të investohen në tregjet e huaja dhe të jenë të varura nga ndryshimet që ndodhin në bursa. Në qoftë se do t’i kishim investuar në projekte, për shembull kishte me qenë një prej projekteve kapitale që ka Kosova nevojë urgjente,  kishte me qenë për shembull ndërtimi i një termocentrali me gaz, në kuptimin e kthimit të qymyrit në gaz dhe për prodhimin e energjisë elektrike. Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve mund të merren. Përveç borxhit publik mund të merren edhe prej Trustit dhe të investohen”, tha ai.

Rafuna tha se duhet garantuar siguria e mjeteve të qytetarëve, pasi ato janë investime private dhe çdo model i ri duhet të garantojë kthimin e fitimit.

“Trustit ose qytetarëve të Kosovës t’u sigurohet, se këto janë investime private dhe  nëpërmjet një ligji që investimi i tyre të kthehet në fitim në Trust, siç ndodh investimi nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha ai për EO.

Në evidencën e Trustit për datën 31 dhjetor 2024, figuronin 3.181.841.318 euro, ndërsa më 16 prill 2025, kjo shumë kishte rënë në 3.077.975.659 euro. /EO/