Inter Milan vazhdon ndjekjen e ngushtë të Napolit në krye të Serie A, pasi një penallti e realizuar nga Kristjan Asllani në minutat e para i mjaftoi për të mposhtur Hellas Veronën me rezultat 1-0, duke regjistruar fitoren e tetë radhazi në shtëpi kundër kësaj skuadre në kampionat.
Pasi Napoli u shkëput përkohësisht me gjashtë pikë më shumë, Interi e dinte që fitorja ishte e domosdoshme. Ashtu siç pritej, skuadra e Simone Inzaghit nisi fuqishëm dhe pas një rishikimi me VAR, gjyqtari akordoi penallti për një prekje me dorë nga Nicolás Valentini.
Asllani, i sigurt nga pika e bardhë, dërgoi topin në rrjetë dhe portierin Montipò shkoi në drejtim të kundërt – duke shënuar golin e tij të parë në Serie A këtë sezon.
Interi vazhdoi të kërcënonte me goditje nga distanca si ajo e Nicola Zalewskit, por Verona u stabilizua me kalimin e minutave, duke mos lejuar shumë hapësira.
Marko Arnautović humbi dy mundësi të mira me kokë, teksa mungesa e Lautaro Martínez për shkak të lëndimit dhe lënia në stol e Marcus Thuram e lanë skuadrën pa shumë zgjidhje në sulm.
Në pjesën e dytë, edhe pse Inter dominoi posedimin, ishte Verona që u përpoq të përfitonte me kalimin e kohës. Ondrej Duda dhe Tomáš Suslov iu afruan golit me goditje të rrezikshme, por pa sukses.
Duke pasur parasysh edhe përballjen vendimtare në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës të martën, Interi kërkoi të ruante rezultatin në fund dhe ia doli, duke zgjeruar serinë pa humbje ndaj Veronës në shtëpi në Serie A në 35 ndeshje (23 fitore, 11 barazime).
Verona, në anën tjetër, do të kërkojë ringritjen në sfidën kundër Lecce-s, pas gjashtë ndeshjesh pa fitore në kampionat. /GazetaExpress/