Bayern Munich nuk arriti të sigurojë titullin e Bundesligës të shtunën pas një barazimi dramatik 3-3 ndaj RB Leipzig – por vëmendjen e tifozëve e tërhoqi veprimi i Harry Kane-it sekonda para fundit të ndeshjes.
Skuadra bavareze kishte mundësinë të siguronte titullin kampion me një fitore në shtëpi kundër Leipzig-ut, çka do t’i jepte kapitenit të Anglisë, Kane, trofeun e parë të karrierës së tij – diçka që shumëkush e konsideronte të paimagjinueshme për një lojtar të kalibrit të tij.
Megjithatë, pavarësisht rikthimit të fortë nga 0-2 në 3-2, një gol në sekondat e fundit nga Yussuf Poulsen i shoi shpresat për të festuar sonte, duke i detyruar tifozët e Bayernit të presin edhe pak për ta festuar titullin.
Por ajo që i bëri tifozët të shpërthejnë në rrjete sociale ishte fakti që Harry Kane, i cili ishte i suspenduar për këtë ndeshje, ishte parë duke zbritur nga tribunat në zonën pranë fushës, për të qenë gati që të festonte me skuadrën në rast fitoreje.
Për fat të keq për të, festa u ndërpre brutalisht nga goli i Leipzig-ut, dhe shumë tifozë e panë këtë si një moment ironik për sulmuesin anglez që duket se nuk po mund të kapë një trofe, pavarësisht përpjekjeve.
Një tifoz shkroi në X (ish-Twitter):
“Efekti Kane është real! Ai sjell ters kudo që shkon.”
Ndërsa një tjetër bëri shaka:
“Universi po bën gjithçka të mundur për ta shtyrë trofeun e parë të Harry Kane.”
Megjithatë, pati edhe optimizëm:
“Bayerni po e shtyn fitimin e titullit për një javë tjetër që Kane të jetë në fushë gjatë momentit të madh.”
Bayerni mund ta fitojë ende titullin këtë fundjavë nëse Bayer Leverkusen nuk arrin ta mposht SC Freiburg në udhëtim të dielën pasdite. /GazetaExpress/