Sot për herë të dhjetë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Ngërçi i krijuar është për shkak të propozimit të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare nga LVV-ja, të cilën partitë e tjera e shohin si ‘‘përçarëse’’, dhe të cilat kërkojnë nga VV-ja që të ndryshohet kandidatura. Për shkak të bllokadës për herë të parë dikush nga radhët e VV’së ka provuar të arsyetohet për fjalët hajvanë të Kurtit. Donika Gërvalla madje sot provoi të ndërtojë një rrëfim të dobët për këtë, shkruan Gazeta Express.
Gjuha e ashpër e përdorur nga Haxhiu s’është e vetmja që vjen nga kjo parti. Është edhe vetë lideri i kësaj partie, Albin Kurti, ai që ka fyer partitë e tjera me fjalor të rëndë.
Një nga këto fjalë është deklarimi i tij ku ai ju drejtohet opozitës me fjalën ‘‘hajvanë’’.
Pikërisht kjo çështje është ngritur si pyetje edhe sot nga gazetarët, drejtuar deputetes së VV-së, Donika Gërvalla.
E njëjta, para gazetarëve është munduar të arsyetohet duke thënë se ky deklarim i Kurtit s’ka qenë për deputetët por vetëm për një person.
Gërvalla ka thënë se Kurti nuk i është drejtuar deputetëve, por “hajvan” i ka thënë një personi – atij që premtimet ia tejkalonin buxhetin e shtetit në tërësi.
“Votë kemi kërkuar nga qytetari dhe askush nuk i ka quajtur deputetët hajvanë. Kjo gjuhë që përdoret për të përgjithësuar dhe për të mos i kushtuar rëndësi detajeve krijon një qasje refuzuese ndaj mediave. Askush nuk i ka quajtur deputetët hajvanë, është quajtur një person që ka bërë premtime që tejkalonin shumën jo vetëm të buxhetit të shtetit por gjithë GDP-së. Në atë kontekst është përdorur”, ka thënë Gërvalla.
Ndryshe, këtë fjalor të ashpër që po i kushton tash Kurti e kishte përdorur natën e zgjedhjeve. Gërvalla ishte njëra prej spektatoreve të atij fjalimi që bashkë me kolegët e saj të ngazëllyer nga rezultati i buzëqeshnin drejtuesit të tyre.
“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit…Kurrë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie. Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapë se prapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit”, kishte deklaruar Kurti. /GazetaExpress