Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona, përfshirë dy zyrtarë doganorë dhe tre qytetarë (dy shtetas turq dhe një shtetas kosovar), nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhet me kontrabandën dhe shpërndarjen e barnave pa autorizim.
Operacioni është zhvilluar nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Fushë Kosovë, të cilët pasditen e së premtes kanë ndaluar tre të dyshuar që po bartnin një sasi të konsiderueshme barnash me automjete. Hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjRHKEK) – Prishtinë janë përfshirë menjëherë në hetim, ndërsa inspektorët farmaceutik kanë bërë evidentimin dhe vlerësimin e barnave të sekuestruara.
Sipas vlerësimeve paraprake të inspektorëve, sasia e barnave të kapura vlerësohet rreth 150 mijë euro, ndërsa dyshohet se këto janë futur në Kosovë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, duke anashkaluar procedurat ligjore të importit.
Tre personat e ndaluar janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale: ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ dhe ‘Kontrabanda me mallra’. Me urdhër të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje pas intervistimit.
Hetimet kanë vazhduar edhe në Aeroportin e Prishtinës, ku janë intervistuar dy zyrtarë doganorë, të cilët ishin të angazhuar në detyrë në këtë pikë kufitare. Njëri nga zyrtarët është ndaluar me vendim të prokurorit për shkak të dyshimeve për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ndërsa ndaj tjetrit procedura do të vazhdojë në mënyrë të rregullt.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.