Njohësi i çështjeve mediale, Abit Hoxha, ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij” (RSF), duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë dhe për qasjen e pushtetit ndaj mediave.
Në një postim publik, Hoxha tha se rënia në vlerësimin ndërkombëtar për lirinë e mediave duhet të analizojë dy çështje thelbësore: përpjekjen e pushtetit për të kontrolluar mediat dhe sulmet e drejtpërdrejta ndaj gazetarëve të pavarur.
Sipas tij, “pushteti, përkrahësit dhe fallangat e tij që pozojnë si media apo gazetarë, po përpiqen të kontrollojnë sektorin e mediave me qëllim të shtypjes së fjalës së lirë dhe të vetë lirisë”.
Hoxha nuk kurseu kritika ndaj figurave të larta shtetërore.
“Presidentja pothuajse asnjëherë nuk flet për dhunën ndaj gazetarëve. Ajo pajtohet me zotëriun e parë se media është ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, për faktin që nuk reagon”, theksoi ai. Po ashtu, kritikoi edhe Kryeministrin për qasje të ashpër ndaj mediave: “Kryeministri sulmon median hapur dhe inspiron të tjerët të flasin kundër saj.”
Hoxha vuri në dukje se përpjekjet për kontrollin e mediave po shtrihen edhe përmes mjeteve ligjore dhe ekonomike: ligje që kufizojnë lirinë e shtypit, vendime politike për licenca, ndalime fizike të gazetarëve në terren, përgjime të paligjshme dhe fabrikime lajmesh që synojnë denigrimin e tyre.
“Gazetarët në Kosovë janë fronti i fundit i demokracisë. Jam shumë krenar me gazetarët e Kosovës, trimërinë e parrhezian që e kanë për ti treguar të vërtetën autoritetit pa marrë parasysh konsekuencat për vete.,” tha Hoxha.