string(36) "poezia-e-javes-a-e-housman-poezia-32"

Arte

Gazeta Express

02/05/2025 15:30

Poezia e javës/ A.E. Housman – Poezia 32

Arte

Gazeta Express

02/05/2025 15:30

Alfred Edward Housman (1859 –  1936), poet anglez. Më 1896 botoi përmbledhjen ‘A Shropshire Lad’, një cikël poezish të përshkuara nga pesimizmi dhe preokupimi i autorit me vdekjen e hershme, e cila fitoi në mënyrë graduale një numër të madh lexuesish dhe i bënte për vete sidomos audiencën e re gjatë Luftës së Parë Botëtore.

Charles Baxter (1947), prozator, poet dhe eseist amerikan. Teksti i tij është pjesë e shkëputur nga eseja ‘The Request Moment, or “There’s Something I Want You to Do”’.

NGA LARG, NGA MBRËMJA DHE MËNGJESI

A.E. Housman

Nga larg, nga mbrëmja dhe mëngjesi

Dhe nga ai qiell me dymbëdhjetë erëra,

Materia e jetës shpërtheu këtu

Që të më sajonte mua: Ja ku jam.

Tash – ndalem të marr frymë njëherë

E nuk shkapërderdhem –

Kape dorën time shpejt dhe më thuaj,

Çka ke në zemrën tënde.

Fol tash dhe unë do të përgjigjem;

Si mund të të ndihmoj, thuaje;

Para se unë të marr rugën time të pambarim

Kah dymbëdhjetë drejtimet e erës. 

From far, from eve and morning/ And yon twelve-winded sky,/ The stuff of life to knit me/ Blew hither: here am I.// Now—for a breath I tarry/ Nor yet disperse apart—/ Take my hand quick and tell me,/ What have you in your heart.// Speak now, and I will answer;/ How shall I help you, say;/ Ere to the wind’s twelve quarters/ I take my endless way.

(A. E. Housman’s A Shropshire Lad, 32)

KOMENT

Nga Charles Baxter

Kjo poezi e vogël nga viti 1896 ka zënë një hapësirë të konsiderueshme mendore në mesin e romancierëve të shekullit XX: E. M. Forster citon nga kjo poezi te romani i tij A Room with a View dhe Ursula Le Guin e titullon njërin prej romaneve të saj The Wind’s Twelve Quarters.  

Çfarë kërkon kjo poezia melankolike? Domethënia e saj është relativisht e drejtpërdrejtë. Në stancën e parë, poeti thotë se fati dhe koha dhe universi e kanë sajuar atë në këtë formë njerëzore. Për një periudhë të shkurtër, ai ekziston. Ai është pezull këtu në kohë. Por, vëren se ora po ecën dhe se ka një ndjenjë urgjence – nga “the stuff of life” ai do të shndërrohet shumë shpejt në pluhur. Në vargun e tretë të stancës së dytë, ai tash kthehet të të adresohet ty, ose dikujt tjetër. Situata ka bërë një kërcim; është bërë e ankthshme dhe e nderë – prandaj dramatike. Kapma dorën shpejt (sepse koha është e shkurtër), kërkon ai, dhe tregomë çfarë ka në zemrën tënde. Për atë Zot, e hedh fjalën ai, mos rri i heshtur. Më thuaj çfarë ndien pikërisht tani dhe më thuaj si mund të të ndihmoj. Bëje shpejt, bëje tash, ngase ne vijmë nga pluhuri kozmik dhe do të kthehemi në atë pluhur shumë shpejt. Fol. Shpëtoje veten dhe shpëtomë mua. Diçka është e pathënë dhe duhet të artikulohet. Si mund të të ndihmoj? Thuaje.

Çështja është, një kërkesë e vetme nuk mund ta energjizojë poezinë. Kërkesa duhet të ketë ndonjë urgjencë kohe dhe kushtin mbrapa saj. Folësi nuk po i kërkon dëgjuesit të tij të mbledhë rrobat për t’i larë, apo të nxjerrë jashtë bërllokun; ai po i kërkon dëgjuesit të thotë çka ka në zemër para se të kalojë koha. Ky është peizazhi i nevojës emocionale.

Vini re se poeti nuk po kërkon apo lutet që dëgjuesi ta dojë atë, siç është rasti me aq shumë lirikë elizabetianë dhe romantikë. Një kërkesë për dashuri është disi qesharake, ngase dashuria nuk të kërkohet përnjëmend. Folësi nuk e bën këtë gabim. Në vend të kësaj, ai pyet, “How shall I help you, say.” “Ndihma” mund të jetë dashuri, ose seks, ose ndonjë gjë tjetër, si rehatia. E gjithë poezia rrotullohet rreth fjalës së radhës, thuaje, dhe në kohën e tashme narrative, qëndron aty pezull. Vini re mungesën e pikëpyetjes. Thuaje është fjala që do të japë jetë dhe përgjigjja në të po ashtu do të japë jetë. Në njërën anë të kësaj fjale gogësin një heshtje e përjetshme. Heshtja është abisi, errësira kozmike e arritshme e hapësirës boshe. Pra, thuaj diçka.

Diku mbrapa kësaj poezie është antagonsiti i saj, heshtja vdekjeprurëse dhe qesharake e buzës së sipërme të ngurtë angleze, e cila u reziston shprehjeve të ndjenjave dhe po ashtu mbrapa saj gjendet heshtja shtypëse e shoqërisë së ndershme.

/Charles Baxter, Wonderlands, Graywolf press, 2022

/Gazeta Express