string(124) "krasniqi-votimi-i-fshehte-ne-seanca-konstituive-i-pamundur-me-rregulloren-e-re-te-kuvendit-ndryshoi-gjate-qeverisjes-se-vvse"

Lajme

Gazeta Express

02/05/2025 0:02

Krasniqi: Votimi i fshehtë në seanca konstituive i pamundur me rregulloren e re të Kuvendit – ndryshoi gjatë qeverisjes së VV’së

Lajme

Gazeta Express

02/05/2025 0:02

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se votimi në mënyrë të fshehtë me Rregulloren e Punës së Kuvendit bëhet vetëm në seanca plenare dhe jo në ato konstituive, sic ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi thotë se Rregullorja e Punës së Kuvendit ka pësuar ndryshime thelbësore gjatë mandatit të qeverisjes nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai thekson se ndryshimet e bëra e specifikojnë qartë se votimi i fshehtë aplikohet vetëm në seanca plenare, ndërsa seancat konstituive nuk përfshihen në këtë kategori.

“Është e vërtet që aktgjykimin e vitit 2014, Gjykata ka thënë që votimi mund të bëhet edhe në mënyrë të fshehur, duke u thirrur në rregulloren  e Punës së Kuvendit, mirëpo ajo rregullore ka ndryshuar gjatë mandatit të VV dhe është precizuar saktësisht që mënyra e votimit të fshehtë është për seanca plenare, dmth seancat plenare janë tjera prej seancave konstituive”, tha Krasniqi në emisionin Pressing T7.

Për më tepër, Krasniqi thekson se edhe nëse nuk do të kishte ndryshime në Rregulloren e Punës së Kuvendit, procedurat për mënyrën e votimit duhej të ishin caktuar që në mbledhjen paraprake – atë që mbahet ndërmjet kryetarit të legjislaturës së kaluar dhe përfaqësuesve të subjekteve politike për të përcaktuar rendin e ditës. Pikërisht në atë takim thotë se do të ishte dashur të merrej vendimi për votim të fshehtë, nëse do të kishte vullnet politik për një gjë të tillë.

“Nëse do të ishte caktuar aty, do të mund të realizohej, por nuk mund të bëhet tani kur jemi në mes të procesit dhe nuk mund të ndryshosh rregullat e lojës pasi ke filluar një mënyrë të zgjedhur të votimit për deputetë”, tha ai.

Tutje, Krasniqi thotë se në këtë kontekst, kryesuesi i seancës nuk ka kompetencë ligjore të propozojë një mënyrë të re votimi, dhe askush tjetër nuk mund të ndërhyjë në këtë drejtim, pavarësisht numrit të votave që mund të ketë pas vetes.

“Kryesuesi nuk ka të drejtë të bëjë propozime të tilla dhe askush tjetër, pavarësisht numrit të votave”, përfundon Krasniqi.