Kongresi i Partisë Popullore Evropiane miratoi ditën e djeshme një rezolutë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri.
Nëpërmjet kësaj rezolute, Partia Popullore Evropiane shpreh shqetësimin për situatën politike dhe raportimet për keqpërdorimin e burimeve shtetërore, për blerjen e votës apo presionin mbi administratën.
Nga Spanja, Berisha e cilësoi aktin e votimit të kësaj rezolute si mbështetje për opozitën në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
Ndërsa ditën e sotme, në një konferencë me gazetarët, kreu i opozitës, ndau detaje nga rezoluta e miratuar.
Berisha tha se rezoluta u miratua pa asnjë votë kundër në unanimitet të plotë dhe damkosi Edi Ramën si armik të votës së lirë.
Berisha: Kjo rezolutë, e cila u miratua pa asnjë votë kundër në unanimitet të plotë, damkosi në mënyrë përfundimtare Edi Ramën si armik i votës së lirë në kontinentin evropian, e rreshton atë krahas Lukashenkos dhe ndonjë diktatori tjetër.
Rezoluta denoncon haptas Edi Ramën dhe regjimin e tij se:
-Po minon zgjedhjet nga manipulimi dhe keqpërdorimi i pushtetit.
-Po shtyp pluralizmin politik përmes presionit institucional dhe se po shtyp opozitën dhe liderët e saj, anëtarë të parlamentit dhe qeveritarë vendorë të opozitës.
-Dënon kontrollin qeveritar mbi mediat dhe mbylljen nga Edi Rama të TikTokut.
-Denoncon mosrespektimin e shtetit ligjor, kapjen e shtetit ligjor, çka ka sjellë, thekson rezoluta, pandëshkueshmëri.
Në rezolutë dënohen gjithashtu me forcë të madhe dhe haptas keqpërdorimi i vazhdueshëm i pushtetit shtetëror.
Shteti elektoral, dmth përdorimi i burimeve shtetërore për zgjedhje.
Blerja me lekë e votës.
Blerja e votës me kanabis.
Blerja e votës me punësime.
Blerja e votës me prokurime.
Blerja e të drejtës së votës, dhunimi i votës dhe fshehtësisë së saj.
Europa e tërë qëndron pas shqiptarëve dhe të drejtës për të votuar si qytetarë të lirë.
Denoncohet censurimi i opozitës.
Jo vetëm kaq, por edhe censurimi i Europës nga Edi Rama.