Pas gati një orë, ka përfunduar takimi midis kryetarëve të dy partive politike, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes.
Pas takimit pritet që kreu i PDK-së Memli Krasniqi të deklarohet për media, derisa nuk dihet nëse ai i VV-së Albin Kurti do të ketë deklarim para mediave.
Kurti të mërkurën u dërgoi ftesa për takim kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili refuzoi të merrte pjesë.
Krasniqi shkroi mbrëmë në Facebook se e ka pranuar ftesën “duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë”.
Ai tha se e inkurajon Kurtin që “të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale”. Në këtë kontekst, Krasniqi tha se “gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”.
LVV-ja për kryetare të Kuvendit e ka propozuar disa herë radhazi Albulena Haxhiun, e cila po aq herë ka dështuar t’i marrë 61 votat e nevojshme, gjë që e ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit.
Në njërën nga mbledhjet e seancës konstituive e cila po vazhdon pa sukses që prej 15 prillit, LVV-ja ka përmendur nevojën për një “marrëveshje politike” për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por pa bërë ndonjë përpjekje serioze që kjo të arrihej.
Në një takim “konsultativ” para vazhdimit të seancës konstituive javën e kaluar, LVV ka këmbëngulur në propozimin e Albulena Haxhiut.
Kandidatja e LVV-së për herë të shtatë dështoi të zgjidhet kryetare e Kuvendit, duke mos marrë më shumë se 57 vota. Herën e fundit, madje mori vetëm 54 vota.
PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme për ta shqyrtuar një kandidaturë “më të pranueshme” nga LVV-ja.
LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se për ta, “nuk ka asnjë kandidat”, të LVV-së që do të mund ta votonin.