Pas tetë përpjekjeve të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe gjashtë tentativave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare të Kuvendit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje ftoi në një takim konsultativ dy partitë më të mëdha: Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
PDK-ja, përmes kryetarit Memli Krasniqi, pranoi ftesën dhe konfirmoi pjesëmarrjen në takim të planifikuar për sot në orën 08:30, një orë e gjysmë para nisjes së seancës konstituive. Krasniqi theksoi nevojën urgjente për zhbllokimin institucional dhe propozoi gjetjen e një kandidati për kryetar Kuvendi që do të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve. Megjithatë, ai theksoi se pozita e nënkryetarit nuk është objekt diskutimi.
Në anën tjetër, LDK-ja refuzoi pjesëmarrjen në takim. Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan qëndrimin refuzues.
Në letrat e publikuara nga Gazeta Express, Kurti përmendi se për konstituimin e Kuvendit, duhet zgjedhur Kryetarin e pastaj pesë nënkryetarët, ndërsa shpresonte për një përgjigje pozitive nga ana Abdixhikut dhe Krasniqit.
“Me qëllim konstituimin e Kuvendit të Republikës, duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, së pari kryetari pastaj edhe pesë nënkryetarët. Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë fituese që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët”, thuhet mes tjerash në dy letrat e dërguara në drejtim të Abdixhikut dhe Krasniqit.
Ftesa e Kurtit për konsultim u bë në prag të seancës së 1 majit, pasi më 29 prill Kuvendi dështoi për herë të tetë të konstituohet.
Kandidatura e Albulena Haxhiut nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme, duke marrë vetëm 54 vota – më pak se në tentativat e mëparshme – përballë 44 kundër dhe tri abstenimeve.