string(87) "miftaraj-kurti-u-vonua-me-ftesa-por-me-rendesi-te-mos-keqperdoren-per-interesa-partiake"

Lajme

Gazeta Express

30/04/2025 21:29

Miftaraj: Kurti u vonua me ftesa, por me rëndësi të mos keqpërdoren për interesa partiake

Lajme

Gazeta Express

30/04/2025 21:29

Ftesa e fundit e kreut të VV’së Albin Kurti, drejtuar liderëve të PDK-së dhe LDK-së për konsultime politike, pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve, të mërkurën, është lajmi i ditës.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, vlerëson se kjo ftesë, ndonëse e vonuar, përbën një mundësi reale për dialog, por vetëm nëse është e sinqertë dhe jo pjesë e një kalkulimi taktik.

“Fatkeqësisht, Lëvizja Vetëvendosje është vonuar jashtëzakonisht shumë me ftesën për partitë politike për të gjetur një mundësi të bashkëpunimit apo lidhjes së një marrëveshjeje të koalicionit për formimin e institucioneve, duke marrë për bazë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025,” thotë Miftaraj.

Ai në një përgjigje për Gazetën Express thekson se përpjekjet për bashkëpunim duhet të jenë të sinqerta dhe të orientuara drejt interesave të shtetit, jo përfitimeve të ngushta partiake.

“Çka është e rëndësishme të diskutojmë në këtë fazë është fakti që kjo ftesë të jetë e sinqertë dhe të mos keqpërdoret për interesa partiake. Ftesa do të duhej parë si një mundësi për diskutim mes partive politike për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit lidhur me proceset e rëndësishme që e presin Republikën e Kosovës, ku padyshim përfshihet formimi i institucioneve, raporti i Kosovës me SHBA dhe BE, agjenda evropiane, dialogu Kosovë-Serbi, energjia dhe çështje të tjera të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës,” shton ai.

Sipas Miftarajt, rrjedha e mëtejshme e zhvillimeve do të tregojë qartë nëse Lëvizja Vetëvendosje ka vullnet të mirëfilltë për të ndërtuar institucionet dhe tejkaluar krizën, apo nëse bëhet fjalë për një manovër politike për të fituar kohë.

“Mënyra se si do të rrjedhin ngjarjet do të tregojë edhe nëse LVV ka vullnet politik për të formuar institucionet dhe për të vënë në radhë të parë interesat e shtetit, apo nëse kjo është vetëm një manovër politike për të blerë kohë,” thekson Miftaraj.

Tutje ai kujton se Kurti, gjatë gjithë karrierës së tij politike, nuk është shquar si lider bashkëpunues me partitë e tjera.

“Jemi dëshmitarë se lideri i LVV-së, gjatë gjithë karrierës së tij politike, nuk është shquar asnjëherë si lider që ka ofruar qasje bashkëpunuese apo përfshirëse me partitë tjera politike, veçanërisht në proceset e rëndësishme politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova,” thotë ai.

Megjithatë, sipas Miftarajt, ftesa e fundit e Kurtit është një lajm i mirë për demokracinë në Kosovë.

“Ftesa e fundit është një lajm i mirë për demokracinë në Kosovë dhe si e tillë, në këtë fazë nuk mund të paragjykohet lidhur me rezultatin që mund të sjellë,” përfundon ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

Ata kanë deklaruar se zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit është çështje politike, por nuk duan të përfshihen në ndonjë marrëveshje, ndërsa për postin e nënkryetarit që u takon, nuk negociojnë, pasi e konsiderojnë të drejtë legjitime të subjektit të tyre.

Kurti ka ftuar takimin me dy liderët për të enjten në orën 08:30. Ndërkohë, mbledhja e nëntë e seancës konstituive pritet të fillojë në ora 10:00.