Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se shumica e shqiptarëve besojnë se vendi është në drejtimin e duhur dhe këtë e tregojnë edhe sondazhet e fundit për zgjedhjet e 11 majit.
Në një takim elektoral në Kukës, Rama u ndal tek arritjet dhe sfidat për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
“Në rrugën drejt 11 majit e kemi parë të arsyeshme që të ndajmë me njerëzit dhe përmes këtyre takimeve të ndajmë me publikun e gjerë, disa fakte, disa shifra, disa të dhëna që janë pasqyrë e transformimit të këtyre viteve, por që përndryshe nuk ke ku i shikon në pasqyrat tona mediatike”, u shpreh Rama.
Kryeministri e konsideroi këtë një problem të madh, pasi sipas tij, “shumëçka që ka të bëjë me zhvillimin, transformimin dhe përmirësimet e vazhdueshme të vendit nuk gjen pasqyrim në ato kanale apo portale prej të cilave njerëzit informohen”.
“Prandaj nuk është fare çudi kur ndodh siç po ndodh këto javët e fundit kur të gjitha sondazhet na japin fitues në një avantazh të madh nga të tjerët. Shumica e shqiptarëve besojnë tek ne, besojnë se vendi është në drejtimin e duhur, shumica e shqiptarëve besojnë se përmirësimi do të vazhdojë dhe ekonomia e tyre do të jetë më mirë”, tha Rama.
Por Rama, tha se këto fakte nuk pranohen nga ata që komentojnë në studio.
“Ata në studio që e komentojnë e kanë të pamundur t’i pranojnë këto fakte të thjeshta të perceptimit të opinionit publik dhe fajësojnë popullin duke u shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë që nëse shumica e mendon kështu, populli është i sëmurë, i çmendur, i blerë, i shitur, i trembur. Por nuk ndalen të mendojnë se mos ndoshta janë ata që gabojnë dhe jo populli”, tha Rama.