Një 68-vjeçar është marrë peng një ditë më parë në Tiranë, ndërsa autorët i kanë kërkuar bashkëshortes së tij 2 milionë lekë për ta lënë të lirë.
E alarmuar nga telefonata, gruaja ka dorëzuar në zonën e Saukut 1.7 milionë lekë, ndërsa policia nisi menjëherë hetimet. Pesë persona, të identifikuar si Sulejman Sina, Klinton Sina, Idajet Mashollari, Bajram Ibraliu dhe Nikoleta Begolli, u vunë në pranga për ngjarjen.
68-vjeçari dyshohet se kishte lidhje intime me Nikoleta Begollin. Ai është marrë me forcë në një makinë dhe është mbajtur peng për rreth 5 orë në një shtëpi të braktisur në fshatin Kakunjë.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan 5 shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.
Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George W. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç. Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh. Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e shtetasit E. A.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.