Kryetari i Pejës dhe nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka deklaruar se vonesat në formimin e institucioneve janë pjesë e një strategjie të Vetëvendosjes për të zgjatur procesin me qëllim të qartë politik.
“Besoj se është një taktikë për ta prolonguar formimin e Qeverisë. Në momentin që i kanë 61 vota, ata do ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe do ta zhbllokojnë situatën që vet e kanë krijuar”, tha Muhaxheri.
Sipas tij, VV ka qenë e vetëdijshme se Albulena Haxhiu nuk do të votohej dhe këtë lëvizje e ka bërë me qëllim të caktuar.
“Është pjesë e strategjisë së tyre për të mos e zgjedhur menjëherë kryeparlamentarin dhe për të parë si do të zhvillohen ngjarjet në rajon e më gjerë, përpara se ta formojnë Qeverinë.”
I pyetur për mundësinë e bashkëqeverisjes me VV-në, Muhaxheri është shprehur skeptik.
“Nuk besoj se kanë lënë hapësirë për bashkëqeverisje. E kemi provuar njëherë dhe nuk ka funksionuar.”
Ai theksoi se LDK është e përgatitur të jetë në opozitë, por nuk përjashtoi mundësinë për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes nëse i jepet mundësia:
“Ne jemi të gatshëm të jemi opozitë, por nëse na jepet rasti, nuk do të hezitojmë të marrim përgjegjësinë për ta çuar vendin përpara, aty ku e meriton.” /Indeksonline