Instituti Demokratik i Kosovës/Transparency International Kosova (KDI-TIK), ka publikuar Transparometrin Komunal 2024, raport ky që paraqet vlerësimin e transparencës në 38 komuna të Kosovës.
Në hapje të konferencës, menaxherja e projekteve në KDI, Selvije Kurti ka folur për rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies nga niveli lokal i qeverisjes. Sipas saj, koncepti i komunave të hapura i fuqizon qytetarët dhe rrit nivelin e përgjegjshmërisë së autoriteteve lokale. “Edhe baza ligjore garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike. Duke përmirësuar transparencën, rritet llogaridhënia e autoriteteve lokale, duke mundësuar kështu edhe pjesëmarrje më aktive të qytetarëve në vendimmarrje”, ka thënë Kurti. Ajo theksoi se transparenca nuk është çështje vullneti të lirë, por një detyrim ligjor dhe një formë llogaridhënieje për mënyrën se si po menaxhohen burimet publike. Për më tepër, ajo është një instrument kyç për ndërtimin e besimit midis qytetarëve dhe institucioneve të tyre.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm gjatë vitit 2024 ka qenë paralajmërimi për lansimin e platformave – webfaqeve të reja digjitale komunale, me synimin që ky proces të përfundojë deri në fund të dhjetorit. Ky informacion është bërë i ditur gjatë një punëtorie të organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (nëntor 2024), përkundër mungesës së komunikimit zyrtar nga institucionet përgjegjëse. Lansimi i këtyre faqeve përfaqëson një hap pozitiv drejt lehtësimit të qasjes së qytetarëve në informata publike, megjithatë procesi ka qenë i shoqëruar me mangësi të theksuara – si mungesa e njoftimeve zyrtare, afateve të qarta dhe udhëzimeve për qytetarët lidhur me përdorimin dhe adresat e webfaqeve të reja. Pas testimit të disa prej faqeve të reja, KDI ka konstatuar përmirësime në aspektin teknik (sidomos në shpejtësinë e qasjes), por jo në përmbajtje – pasi mungon një strukturë e standardizuar dhe e unifikuar për publikimin e dokumenteve, kërkesë kjo e vazhdueshme e KDI ndër vite, sidoqoftë është ende herët për të dhënë një vlerësim mbi efektshmërinë e tyre. Edhe pse funksionalizimi i webfaqeve është një hap i domosdoshëm, transparenca shkon përtej aspektit teknik – ajo nënkupton qasje reale dhe të drejtë në dokumente publike, përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje, komunikim të hapur me publikun dhe llogaridhënie të vazhdueshme, theksoi Kurti.
Ndërkohë, Besnik Ramadanaj nga KDI ka paraqitur metodologjinë mbi të cilën është hartuar raporti, si dhe ka folur për rezultatet e Transparometrit Komunal 2024. Sipas tij, vlerësimi mesatar për 38 komunat është 68.34 pikë, nga 62.42 pikë sa ishte në vitin 2023, me një ngritje prej rreth 5 për qind. “Sipas Transparometrit Komunal 2024, komunat që kanë dalë me performancën më të mirë në transparencë janë: Ferizaj, Gjakova, Lipjani e Prizreni, pasuar nga Drenasi, Klina, Obiliqi e Rahoveci”, ka thënë ai.
Transparometri për vitin 2024 është rezultat i monitorimit dhe vlerësimit të transparencës në institucionet lokale nëpërmjet 48 indikatorëve për periudhën janar – dhjetor 2024, realizuar nga KDI dhe organizatat partnere lokale.
Në kuadër të Transparometrit 2024 është analizuar edhe performanca sa i përket transparencës në nivel të Kuvendeve Komunale dhe Zyrave të Kryetarit/es përkatësisht ekzekutivit. Sipas indikatorëve që masin transparencën, zyrat e kryetarëve kanë shënuar një epërsi të lehtë krahasuar me Kuvendet Komunale. Sipas këtyre të dhënave, Zyrat e Kryetarëve kanë performuar me 71.56 për qind, derisa Kuvendet Komunale me 71.03 për qind. Krahsasuar me vitin 2023, vërehet një përmirësim në të dyja nivelet.
Gjatë periudhës dhjetor 2024 dhe janar 2025 komunat kanë kaluar në ueb faqet e reja, duke kaluar kështu në procesin e migrimit të të dhënave në uebafqet zyrtare të reja. Përkundër këtij zhvillimi pozitiv, duke përmirësuar funksionimin e tyre, ueb faqet e reja nuk përmbushin pritjet, pasi mungon strukturimi dhe unifikimi i informatave. Në këtë aspekt, komunat edhe më tej ankohen në migrimin e kadalshëm të migrimit të të dhënave dhe problemeve teknike, duke fajësuar institucionet qendrore, si MPB dhe Agjencinë e Shoërisë së Informacionit.
Sipas të gjeturave kryesore të Transparometrit Komunal 2024, komunat ende karakterizohen me problemet si: mungesën e njoftimeve publike për qytetarët lidhur me lancimin e ueb faqeve të reja, mungesën e informatave publike për adresat (domain) të komunave, mungesa e strukturës unike dhe të standardizuar të uebfaqeve, mungesa e ofrimti të qasjes së plotë në dokumente në gjuhët zyrtare., mungesa e hapjes së të dhënave, etj.
Nisur nga fakti që tashmë jemi në vitin zgjedhor komunal, KDI/TIK inkurajon komunat që edhe gjatë kësaj periudhe të forcojnë dhe të mos neglizhojnë transparencën, si dhe inkurajohen kandidatët e partive politike për kryetarë komunash që të fillojnë me hartimin dhe publikimin e programeve, duke i dhënë rëndësi transparencës dhe llogaridhënies.
Transparometri Komunal 2024 është realizuar në partenritet me 12 organizata të tjera lokale: OJQ Mundësia, 2. Polis, 3. AvoNet, 4. Qeliza, 5. Gjethi, 6. Center for Peace and Tolerance, 7. Center for Policies and Advocacy (QPA), 8. OJQ SHL Kosova, 9. Iniciativa Qytetare Skenderaj (IQS), 10. Ekovizioni, 11.NGO Fortesa, 12. Syri Vizionit, dhe është mbështetur nga Olof Palme International Center.
Linku i raportit: