Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit me 42 % të votave, kreu i kësaj partie dhe kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, po has në vështirësi serioze për ta bërë një shumicë të thjeshtë që ia miraton kryetarin e Kuvendit fillimisht e më pas edhe Qeverinë, shkruan Gazeta Express.
Në gjashtë seanca radhazi, kandidatura e LVV për kryetare të Kuvendit ka dështuar të marrë votat e mjaftueshme. Nga 57 sa kishte marrë në fillim, tashmë ky numër ka filluar të bie. Partitë që kanë qenë në opozite, PDK, LDK dhe AAK janë të vendosura për të mos i dhënë përkrahje Kurtit. Kjo edhe për shkak të gjuhës që kreu i LVV-së ka përdorur gjatë dhe pas fushatës zgjedhore në drejtim të këtyre partive.
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ndonëse në krye të herës kishte shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje, një marrëveshje politike ende s’është konkretizuar. Limaj vetë i treti vazhdon të mbajë pozicion abstenues në Kuvend për propozimin e LVV-së për kryetar të Kuvendit.
Manovrimet politike për të siguruar një shumicë të thjeshtë, Kurtit ia kanë vështirësuar edhe deputetët e pakicave jo-serbe. Ndonëse me ata që kishte bashkëpunuar në katër vitet e fundit ka gjetur gjuhë të përbashkët më lehtë, me Duda Balje dhe disa të tjerë i kanë dalë probleme.
Këtë vështirësi për t’i bindur që ta përkrahnin, Kurti ishte munduar ta zbus përmes presionit publik, se kinse Serbia po bën presion tek disa deputetë të pakicave që të mos përkrahet një qeverie e re e tij.
Kjo është mohuar nga të gjithë. Duda Balje madje e ka paditur Sadri Ramabajën meqë ky i fundit ka aluduar se deputetja boshnjake është takuar me Millan Radojiçiqin. Edhe deputeti Veton Berisha ka mohuar që qëndrimi i tij politik të jetë i ndikuar nga dikush.
Ata kanë paraqitur kushtet e tyre, si Balje si Berisha.
Deputetja Balje fillimisht ka kërkuar që të krijohet një Komunë boshnjake dhe disa kushte që lidhen me reformën në arsim. Por përfundimisht, ajo dhe partia që drejton kanë vendosur që të qëndrojë në opozitë.
Kryetari i Partisë Liberal Egjiptiane, Veton Berisha, ia ka premtuar votën Kurtit për kryetar të Kuvendit dhe për të votuar qeverinë, por jo edhe për më shumë, derisa s’kanë një marrëveshje politike. Berisha ka treguar se ka kërkuar drejtimin e një ministrie që lidhet me komunitetet.
Gjithë kjo situatë e vështirë, të cilën Kurti po e kalon me heshtje sa herë që gazetarët po e pyesin nëse i ka bërë numrat, e ka çuar kreun e LVV-së në derën e familjes Geci në Llaushë. Ish-deputeti Gani Geci ka treguar mbrëmë në disa paraqitje televizive se është telefonuar nga Glauk Konjufca, për ta pyetur se çfarë kërkon në këmbim të votës së bijës së saj, Margiona Geci.
Geci ka thënë se në fillim i janë ofruar dy ambasadorë dhe dy zëvendësministra, ndërkohë që në fotografitë e publikuara të bisedës me Konjufcën, shihet që edhe vetë Geci ka pasur kushte për Kurtin. Në një screenshot të publikuar, Gani Geci shihet që i ka kërkuar Konjufcës që Kurti ta shlyej një shkrim për Abedin Rexhën dhe t’i kërkojë falje, dhe pastaj mund të shkojnë në kullën e tyre në Llaushë.
Nga Lëvizja Vetëvendosje janë përpjekur që fillimisht ta mohojnë një përpjekje të tillë për të siguruar votën e Marigona Gecit, dhe publikimi i fotografive nga ana e Gani Gecit ka ardhur pikërisht për këtë arsye. Mes tij dhe Konjufcës është zhvilluar një bisedë 13 minutëshe./GazetaExpress/