Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ka njoftuar sot se Komiteti i OKB-së për Personat e Zhdukur me Forcë, i ka bërë thirrje qeverisë së Serbisë të zbatojë Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë dhe të ndryshojë legjislacionin kombëtar për të sanksionuar mohimin e krimeve të luftës dhe lavdërimin e kriminelëve të dënuar të luftës.
Në një njoftim për media, YIHR bëri të ditur se më 4 prill të këtij viti, Komiteti publikoi raportin mbi Serbinë me një sërë rekomandimesh, përfshirë edhe ato të propozuara nga vetë Iniciativa më 12 mars.
Komiteti u bëri thirrje autoriteteve serbe të dënojnë publikisht çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë dhe krimeve të tjera të luftës, si dhe të ndjekin penalisht dhe të dënojnë aktet që glorifikojnë kriminelët e dënuar të luftës.
Sipas Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnje dhe Hercegovinës, ende po kërkohen mbi 800 persona të zhdukur nga zona e mbrojtur e Srebrenicës. Ndërsa sipas Komitetit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, mbi 11.000 persona konsiderohen ende të zhdukur në territorin e ish-Jugosllavisë.
Në përputhje me rekomandimet e YIHR, Komiteti i OKB-së i bëri thirrje Serbisë që zhdukjet me forcë t’i përfshijë si vepër penale më vete në ligjin penal vendor, duke siguruar që kjo vepër të mos jetë subjekt i parashkrimit.
Komiteti gjithashtu i kërkoi Serbisë të ndryshojë Ligjin për të Drejtat e Veteranëve, Invalidëve të Luftës, Invalidëve Civilë të Luftës dhe Familjeve të tyre, në mënyrë që të gjitha viktimat e konflikteve të armatosura të njihen si viktima, pa diskriminim.
Ndër rekomandimet e raportit është edhe miratimi i projektligjit për të drejtat e personave të zhdukur dhe familjeve të tyre, duke garantuar pjesëmarrjen e plotë të organizatave të shoqërisë civile dhe shoqatave të familjarëve të viktimave në shqyrtimin e tij.
Komiteti theksoi gjithashtu rëndësinë e qasjes në arkiva për të ndihmuar në hetimin e rasteve të zhdukjes.
Një nga pikat kyçe të raportit është edhe rekomandimi për bashkëpunim më të ngushtë midis Serbisë dhe Kosovës, për të kapërcyer pengesat që e bllokojnë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të majit 2023, për të cilën ishin dakorduar presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Albin Kurti.
Komiteti shprehu shqetësimin për mungesën e përkujtimit të viktimave të zhdukjeve të dhunshme që nuk i përkasin nacionalitetit serb në Serbi.
Autoriteteve në Serbi iu rekomandua gjithashtu që ekspozitat muzeale, memorialet dhe përkujtimet për luftërat e viteve ’90 të jenë gjithëpërfshirëse dhe të reflektojnë përvojat e të gjitha viktimave të zhdukjeve të dhunshme, pa dallim etnie apo përkatësie kombëtare. /Danas