Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë një takimi me fermerët në Cërrik se procesi i legalizimeve në Shqipëri do të përfundojë përfundimisht deri në vitin 2028, ndërsa premtoi se pensioni minimal do të shkojë në 200 euro deri në vitin 2030.
Në një bashkëbisedim me qytetarët dhe fermerët, Rama theksoi se qeveria ka përfunduar deri më tani 270 mijë legalizime, ndërsa kanë mbetur edhe rreth 60 mijë të tjera, të cilat do të mbyllen brenda afatit katërvjeçar.
“Synojmë që ky proces të përmbyllet bashkë me inventarizimin përfundimtar të pronës deri në vitin 2028. Për këtë arsye kemi përfshirë edhe bashkitë në këtë operacion. Kush ka pritur për vite të tëra, nuk do të presë më gjatë – kërkojmë edhe pak durim”, u shpreh Rama, duke theksuar se, kur qeveria socialiste mori pushtetin, “ishin kryer vetëm 21 mijë legalizime dhe një pjesë e tyre ishin krejtësisht të paligjshme.”
Rama tha se objektivi i qeverisë është që, brenda vitit 2030, pensioni minimal në vend të arrijë në 200 euro, duke e lidhur këtë synim me formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore.
“Na ra goja duke u thënë njerëzve të mos e hanë karamelen që duket e ëmbël, por është e hidhur brenda – pra, të mos pranojnë të marrin pagën në dorë. Sepse kur të dalin në pension, do të vuajnë pasojat. Kush të bën këtë, po të vjedh pensionin”, tha Rama.
Rama theksoi se mbështetja për bujqësinë është një nga shtyllat kryesore të vizionit “Shqipëria 2030” dhe se bashkitë do të jenë partnere aktive në zbatimin e projekteve në terren.
“Bashkia nuk duhet të jetë vetëm administratë, por pjesë e investimeve që sjellin mirëqenie. Vetëm përmes bashkëpunimit mund të arrijmë standarde të reja në bujqësi dhe zhvillim rural”, përfundoi Rama.