Një 30-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Vorës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, si autor i dyshuar i një ngjarjeje të ndodhur në tetor të vitit 2023, kur u qëllua me armë zjarri në drejtim të banesës së dy vëllezërve në Domje.
I arrestuari ishte shpallur në kërkim kombëtar për disa vepra penale, përfshirë “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim.
Sipas burimeve zyrtare, 30-vjeçari ka pasur precedentë penalë të mëparshëm për krime kundër jetës dhe armëmbajtje pa leje.
Pas një pune të mirëorganizuar dhe në bazë të informacionit të siguruar nga inteligjenca policore, ai u lokalizua dhe arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Over”. Bashkëpunëtori i tij në këtë ngjarje është identifikuar, ndërkohë që hetimet ndaj tij vijojnë.
Gjykata e Tiranës kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest me burg” për 30-vjeçarin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.