Një 30-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Vorës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, si autor i dyshuar i një ngjarjeje të ndodhur në tetor të vitit 2023, kur u qëllua me armë zjarri në drejtim të banesës së dy vëllezërve në Domje.
I arrestuari ishte shpallur në kërkim kombëtar për disa vepra penale, përfshirë “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim.Sipas burimeve zyrtare, 30-vjeçari ka pasur precedentë penalë të mëparshëm për krime kundër jetës dhe armëmbajtje pa leje.Pas një pune të mirëorganizuar dhe në bazë të informacionit të siguruar nga inteligjenca policore, ai u lokalizua dhe arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Over”. Bashkëpunëtori i tij në këtë ngjarje është identifikuar, ndërkohë që hetimet ndaj tij vijojnë.Gjykata e Tiranës kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest me burg” për 30-vjeçarin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.