Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes në zgjedhjeve, ku mbi 80-90% e votuesve janë të pranishëm në këtë proces.
Në përgjigjet e adresuara ndaj pyetjeve në platformat sociale, Kryeministri i është përgjigjur komentit të një qytetari që i thotë se “20% e shqiptarëve janë pengu i tij dhe se në 11 maj do ndëshkohet keq”. “Merru me humor, merru me video bullizuese se vetëm preshin do marrësh. Njerëzit e ndershëm nuk i blen dot sepse fytyra asht ma e shtrenjtë në këtë jetë sesa vota për ty”, i thotë komentuesi në rrjetet sociale.
Rama iu drejtua qytetarit që sipas Kryeministrit nuk ka as emër, por një pseudonim me profil fals, se shifrën 20% e shqiptarëve nuk e kupton si llogari.
“Në Shqipëri pjesëmarrja në votime është masive dhe kur bëhen llogaritë me 51-52-47-48, bëhen llogaritë mbi përqindjen e të gjithë listës së votuesve ndërkohë që e dimë shumë mirë që një pjesë e konsiderueshme e atyre që janë në lista të votuesve nuk janë të pranishëm. Pra, nëse marrim të pranishmit në Shqipëri dhe bëjmë llogarinë e përqindjes së pjesëmarrjes, ne kemi nga përqindjet më të larta në Evropë, mbi 80%, afro 90% në ndonjë rast të votuesve të pranishëm”, tha Rama.
“Po të pranoj atë llogarinë që kanë ikur 1 milion shqiptarë që kur unë kam marrë detyrën që është një idiotësi më vete sepse ashtu i bie të marrin pjesë në votim 100 e ca % e votuesve, por po them në mënyrë racionale numri i votuesve të pranishëm, e para. E dyta, ne marrim afro 800 mijë vota, këtë herë do marrim edhe më shumë edhe për shkak të diasporës. Tani si mendon ti, për shembull, që 800 mijë njerëz janë të blerë, janë çfarë, nuk janë shqiptarë të ndershëm? 800 mijë njerëz nuk janë shqiptarë të ndershëm? Mendon gabim dhe se kush do ndëshkohet në 11 maj, ja erdhi 11 maji e do ta shohim”, u shpreh Kryeministri.
Kreu i ekzekutivit tha se e ka dëgjuar edhe herë të tjera këtë këngë, sa herë që vijnë zgjedhjet, por sipas Ramës këto komente nuk kanë asnjë lidhje me politikën përveç tifozllëkut dhe që nuk fitojnë asgjë duke bërë tifozin e kënetës.
“Dhe që për hir të tifozllëkut nuk shohin fare, nuk e shohin fare realitetin dhe u duket zi, zi nga të katërta anët. Kanë dhe përfaqësuesit e tyre kjo lloj kategorie në klubet e natës mediatike, disa derra të kënaqur që shpërfaqen çdo natë duke sharë e duke shpifur në mënyrën më persistente. Më vjen keq, më vjen keq se pastaj vijnë zgjedhjet, hapen kutitë dhe pastaj zhgënjehen”, nënvizoi Rama.
Kryeministri u ndal në fjalën e tij edhe te komentet për videot bullizuese, ku sipas Ramës nuk ka vend për bullizëm, por për humor që është një gjë shumë serioze dhe pjesë e komunikimit.
“Sa i përket videove bullizuese, nuk e di për çfarë bullizimi është fjala por di këtë që humori është patjetër një gjë shumë serioze dhe është pjesë e mënyrës së komunikimit dhe e përsëris siç thashë dhe më parë, nuk leh më saktë, nuk i them kundërshtarit as mafioz, as kriminel, as hajdut, as i tillë e as i atillë sepse këto janë akuza penale dhe janë brutalitete për rrugeçër, nuk janë mënyrë komunikimi në publik por natyrisht unë kam mënyrën time për të mos i lënë kusur kundërshtarëve. Kështu që ata që ndjehen të bullizuar nga satira duhet ta llogarisin pak se si duhet të ndjehet dikush që vihet në mënyrë të vazhdueshme në shënjestër nga të gjitha fjalët më të ndyra të shqipes dhe me brutalitetet me të mëdha të shqipes. Bëjeni një llogari të vogël në këtë drejtim dhe shiheni si ju del”, tha Rama.
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...