Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për zhvillimet e fundit që po ndodhin në Bashkinë e Tiranës, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama për shkelje të Kushtetutës dhe për ndërhyrje të paligjshme në punët e pushtetit vendor. Gjatë një konference për mediat, Berisha cilësoi këto zhvillime si një skenar të një “seriali narkos”.
“Rama e ka shkarkuar Veliajn, por kompromisi ka qenë që Veliaj të bëjë ‘mea culpa’ dhe i çuan xhebrailin në qeli. Se çfarë ka ndodhur, kush e merr vesh”, tha Berisha, duke shtuar se “Erion Veliaj ka shndërruar qelinë e burgut në zyrën e bashkisë, ku firmos dhe vulos dokumente si të ishte në zyrë.” Berisha kërkoi një hetim të thellë mbi këto ngjarje dhe i bëri thirrje Avokatit të Popullit për të ndërmarrë një hetim të plotë mbi qëndrimet e Ramës dhe Veliajt, të cilët i cilësoi si “personazhe kryesore në këtë puntatë të ‘Narcos’”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te emërimi i Anuela Ristanit si kryetare e komanduar e Bashkisë Tiranë, duke theksuar se kjo është bërë pa ndjekur procedurat e duhura kushtetuese.
“Këshilli Bashkiak është i vetmi organ që ka tagër për të vendosur se kush do të drejtojë Bashkinë“, tha ai.
Sipas tij, emërimi i Ristanit nga Rama është një akt antikushtetues, pasi kjo detyrë i përket vetëm Këshillit Bashkiak.
“Nëse Ristani nuk është njeri i besuar i Edi Ramës, si pranon ajo urdhërin antikushtetues të tij?” pyeti Berisha.Ndërkq Berisha akuzoi Kryeministrin Rama se ka thirrur dhe kërcënuar punonjës të këtij institucioni në zyrën e tij.
“Rama thërret dhe kërcënon egërsisht punonjësit e bashkisë kur ata janë të pavarur, një veprim që është i papranueshëm dhe në shkelje të ligjit”, tha Berisha.