Avokati i Lulzim Berishës, Detar Hysi, ka reaguar sot pas vendimit të GJKKO për të lënë në burg klientin e tij, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Spanja. Në një prononcim për mediat, ai i bëri thirrje prokurorëve të posaçëm që të ruajnë pavarësinë në ushtrimin e detyrës dhe të mos përdorin bashkëpunëtorët e drejtësisë për interesa të caktuara.
“Nisur nga përmasat mediatike të çështjes, dua të sqaroj opinionin publik se i ashtuquajturi bashkëpunëtor i drejtësisë, Luftar Reçi, është një mitoman i përhershëm, që prej momentit kur ka hyrë në sistem e deri më sot ka bërë kërkesa dhe ka krijuar artifica për të mashtruar institucionet shtetërore. Përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë për interesa të caktuara apo për qëllime statistikore dëmton sigurinë kombëtare dhe duhet të ndalet”, deklaroi avokati.
Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë dhe i ekstraduar në Shqipëri, u përball me Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Hetimet mbi këtë çështje vijojnë, ndërsa pritet që Prokuroria të zbardhë më tej provat e paraqitura në dosje.