Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke folur për blerjen e pajisjeve zanore që zakonisht quhen “topat zanorë”, ka thënë se janë blerë gjëra të ndryshme, “por asnjëherë nuk janë përdorur”.
„Ne kemi blerë gjëra të ndryshme, të gjitha vendet e botës kanë këto mjete, por ato kurrë nuk janë përdorur në Serbi. Është përgatitur një megafon për përdorim, por as ai nuk u përdor sepse (në protestën në Beograd më 15 mars) ishte qetësi”, ka thënë Vuçiqi për gazetarët serbë në Bruksel.
Portali BIRN ka raportuar, duke cituar një organizatë që merret me të drejtat e refugjatëve, se policia serbe ka përdorur „një pajisje të ngjashme me armë që prodhojnë zhurmë“ ndaj refugjatëve në periferi të Somborit në nëntor të vitit 2023.
Vuçiqi ka përsëritur në Bruksel se “nuk do të jetë më president i shtetit” nëse rezulton që forcat e sigurisë kanë përdorur këto pajisje në ndonjë mënyrë gjatë protestës së shtunës.
„Nëse forcat tona kanë përdorur topin zanor në ndonjë mënyrë, pasi gjithçka që është treguar është e qartë që nuk ka ndodhur, dhe tani e tregojnë të gjithë ekspertët evropianë dhe botërorë, por nëse ka ndodhur – nuk do të jem më president. Nuk kam nevojë për asnjë imunitet“, ka thënë ai.