Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kreut të koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, pas videove të shpërndara nga ky i fundit në rrjetet sociale. Rama i ka ironizuar Bashën për faktin se ndodhet në listën e hapur të Tiranës, duke e pyetur sa deputetë do të fitojë: “Po sa herë deputetë do të nxjerrësh në Tiranë? Më thuaj pak këtë se mezi po pres,” tha Rama.
Për akuzat se ka frikë dhe ka kandiduar në listën e mbyllur, Rama iu përgjigj se hyri në listë të mbyllur sepse “kur pashë që dole ti në fushë thashë ik me vrap, shko futu aty në listë se erdhi Lul suferina.”
Ndërsa për ironinë e Bashës me këngën e Unikatilit, Rama theksoi: “PS është shtëpi e madhe, një bie, mijëra ngrihen.”
Basha ka reaguar menjëherë, duke shpërndarë një video në makinë me këngën “Ku i ke shokët” të Unikatilit, duke ironizuar eksponentët e PS që janë në burg. “O Rame, ku i ke shokët? Ku e ke Lalin? Ku e ke Benin? Ku e ke Terin? Ku e ke Lir Beqen?” shkruan Basha në postim.