Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq Ilir Beqarajn për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ kryer në bashkëpunim.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin I.B. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të kryer në bashkëpunim,‘Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve’ dhe ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave’”, njofton Prokuroria.
Në kuadër të hetimeve për vrasjen e Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë-Krujës, Prokuroria arriti të provojë se i pandehuri Ilir Beqaraj ka konsumuar veprën e mësipërme në rolin e ndihmësit.
Sipas prokurorisë Beqaraj me veprimet e tij aktive ka mundur të largojë autorët e vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen, kjo e dokumentuar edhe nga pamjet filmike të administruara nga prokuroria. Teksa u provua se ky shtetas në kohë të ndryshme me mjetin e tij ka qenë në afërsi të banesës së viktimës.
Nga hetimet rezultoi se në automjetin e përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegjes së automjetit me të cilin u krye vrasja, është përfituar profil gjenetik i shtetasve, Ilir Beqaraj dhe F.P. të cilët dyshohet se kanë pasur rol në vrasjen e gentjan Bejtjas.
Hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë.