Václav Havel (5 tetor 1936 – 18 dhjetor 2011), poet, dramaturg, disident dhe burrështetas çek
E shtunë, 8 shtator 1979
E dashur Olga,
Vizita jote më ka gjallëruar dhe dhënë fuqi; pastaj u ndjeva bukur i rraskapitur. Mbi të gjitha, isha i lumtur se po ndanim të njëjtin mendim rreth atij udhëtimit për në ShBA ose, për më tepër, se ti në mënyrë aq të vendosur më dhe një pasqyrë të qartë të çështjes. Është e vështirë të matësh të gjitha aspektet, kësodore isha nervoz në lidhje me këtë, por pas vizitës tënde i gjithë nervoziteti im u shua. U sigurova se pozicioni im në lidhje me këtë çështje mund të jetë vetëm ky që është. Por edhe nga ana tjetër, po ashtu, të flas me ty më jep, siç thonë ata, një qira të re të jetës. Më vjen keq që s’mund të më vizitosh më shpesh.
Këtë mëngjes fillova të ta mbaroj një stringël. Do ta skicoj për ty në rast se s’do të jem në gjendje të ta dërgoj përmes avokatit. S’e kam idenë a do tyë vlerësosh një gjë të tillë, përndryshe do të kisha bërë ndonjë gjë kohë më parë…
Menjëherë pas vizitës tënde e mora letrën tënde që ma kishe nisur para dërgesës me lëngje. Faleminderit. Nuk kishte vonesa dhe erdhi në një kohë relativisht të shkurtër, tok me dy kartolinat nga ti. A mos është duke u përmirësuar komunikimi mes nesh? Por ende nuk jam duke marrë asgjë nga askush tjetër.
Me gjasë do të jetë edhe një dëftesë e dërgesës bashkë me letrën. Udhëzimet e mia të shprehura në letrën e fundit mbesin në fuqi. Do ta shtoja këtë: (1) Mos më dërgo pastë dhëmbësh (ajo që ma ke sjellë është e shkëlqyeshme!). (2) Nëse ka mbetur vend për xhem, ma dërgo cazë (atë llojin e kavanozit të letrës). S’kam marrë xhem më këtu dhe jam mësuar ta kem vazhdimisht. (3) S’ke nevojë të më dërgosh kakao. (4) Do të doja vitamina pluhur, sasi të mëdha të llojeve të ndryshme, mjaftueshëm për një muaj. Kur t’i marr, do të ndihem më mirë përnjëherë. (5) Mos më dërgo asgjë në paketim të rëndë, jo përtej peshës së lejuar. Kaq për këtë herë.
Dërgesa me fruta ishte fantastike, mollët ishin të shijshme, madje edhe kumbullat i hëngra me shije. E panevojshme të të them se i kam ngrënë brenda pak ditësh.
Dhe tash ca instruksione të tjera:
E aprovoj planin tënd të lëvizësh në Pragë në fund të shtatorit. Nuk mund ta kalosh dimrin në Hradrecek e vetme. Gjithsesi, mund ta lësh të gatshëm për t’u rikthyer në çdo kohë – qoftë edhe për një qëndrim të gjatë. Supozo të më lirojnë? Në këtë rast, do të kaloj një kohë me ty në Pragë, po pastaj do të doja të shkoj në Hradecek. Problemi është, dua të shkruaj dhe në Pragë s’do të shkruaj as edhe një varg të vetëm. Hradeceku rrjedhimisht duhet të përgatitet për kthimin tim të mundshëm (megjithëse lirimi im nuk është i mundshëm, posaçërisht tani, ma ha mendja).
***
Merri në Pragë magnetofonin, amplifikatorin, kasetat dhe të gjitha kabllot dhe aksesorët. Ndoshta edhe gramafonin, nëse është duke punuar. Dhe makinën time elektrike të shkrimit, për ta riparuar. Edhe të gjithë librat e rinj, letrat dhe ndoshta dorëshkrimet. Mbylle shtëpinë dhe uli qepenat sa më mirë që të mundesh. S’do të ishte keq nëse T. do të shkonte herë pas here t’i hidhte një sy. Merre me vete në Pragë pikturën e Julianës. Harrova, sërish, të të pyes a të pëlqeu piktura e Trinky-t dhe a e ke paguar për të dhe çfarë po bën tash? A ka emigruar tashmë?

Përndryshe, shikoje listën e detyrimeve që ta kam dërguar dhe mendoje cilën prej tyre mund ta mbarështosh. Në Pragë, shoqërohu, shko në teatër, filma, vizitoji miqtë, dyqanet (antikuariatet e xhamit e kështu me radhë), etj.etj. Përcilli ngjarjet kulturore, e di ti për çka e kam fjalën. Merr shënime rreth tyre, ashtu që të mund të më informosh mua.
E teprova me instruksionet.
Tash diçka rreth jetës sime këtu. Kolegët e mi janë të mirë në përgjithësi dhe po u pëlqej, por flasin pandërprerë dhe s’po mund të lexoj as mendoj, etj. natyrisht s’ka gjasë t’i ndaloj. Nganjëherë t’i qet mendtë e kresë. Pro nëse pushojnë për nja dhjetë minuta, atëherë zemërimi im menjëherë zbutet dhe jam në një gjendje të mrekullueshme shpirtërore.
Pra për momentin s’ka rrezik të vuaj ndonjë dëm të përhershëm psikik. Përveç se, kur të jem jashtë, me gjasë do të kem një averzion jetëgjatë për të gjitha muhabetet rreth grave.
(Vazhdon të dielën)
Mendoj se stringla më doli bukur, por s’do të ta skicoj ende, le të jetë surprizë. U mundova të vë pak art nouveau në të. Shpresoj të ngurtësohet siç duhet (e kam bërë të tërën prej bukës, i vetmi material me të cilin di të punoj). Zinxhirin duhet t’ia vësh vetë…
Do të doja të emfazoja edhe njëherë çfarë efekti mirëbërës ka vizita jote tek unë. Burgu menjëherë bëhet më i durueshëm.
Dje mbrëma, duke përdorur një metodë të veçantë që ma kanë rekomanduar këtu, u përpoqa të vendosja një kontakt telepatik me ty, por s’do mend nuk bëri punë. Ma ha mëndja se nuk e kam atë që lypset (për dallim nga të tjerët).
Nuk kam më lumbago, por hemorroidet po ma shpifin bukur fort. Po bëj aq sa mundem.
A e di kur është premiera në Vjenë?
Vasek
P.S.:
Faleminderit për paratë; erdhën pa problem. Por tashmë është koha të më dërgosh më shumë, duke pasur parasysh sa do të zgjasë. Nuk ka nevojë të dërgosh qirinj – peshojnë tepër – veç nëse ia del t’i marrësh ato mendrat e vockla tretëse; janë ndriçuese dhe të mira. Parfumojnë si shami! Më pëlqeu kur the se do të shkoje kudo me mua, qoftë edhe në burg!
(Vazhdim, të martën mbrëma)
Asgjë e veçantë nuk ka ndodhur. Ngjarja e vetme domethënëse në jetën time ishte se sot shkova te një doktor për shkak të hemorroideve që po më shkaktonin dhimbje; m’i përshkroi pesë ditë në shtrat dhe ujë të ngrohtë për shpinën. Të shtrihem për pesë ditë do të jetë një ndryshim njëmend i mirëpritur (të rri ulur vazhdimisht në stolat që i kanë këtu është agoni e vërtetë), dhe veç kësaj, po shpresoj në fund të jem një kurim të pjesshëm. Në lidhje me dërgesën edhe njëherë: ndoshta duhet të ma dërgosh pak kakao pas së gjithash (E kam vënë në miellin tim. Stringla jote është kryer; s’e di a do të të pëlqejë dhe nëse nuk është tepër e brishtë. Nëse do t’i doje të të kthej para, atëherë do të bëj diçka ndryshe. Për Janën kam bërë një spirancë të vockël. Të dyja duken pak a shumë si prodhime burgu.
Të fala Puzukut dhe familjes së tij.
Më vjen keq që këtë vit s’do të mund të shoh gjethet vjeshtore në Hradecek. Gjithë të mirat!
Ahoj! V.
Pp.Ss.
Kolegët e mi këtu po mendojnë se jam i marrë shkaku i “qetësisë” sime përkitazi me lejen e paraqitur të daljes.
Nuk jam tërësisht i kënaqur me stringlën tashmë. Me gjasë do ta nis një të re. (Veç sikur të mos isha përherë duke bërë njoftime të padëshiruara!).
J.-P. Sartre: “Ferri janë të tjerët”. Njeriu bëhet i vetëdijshëm rreth asaj se si këtu është e kundërta, kur njerëzit detyrohen të jetojnë bashkë pa ndërprerje në një hapësirë prej gjashtë metrash katrorë, në intimitet shumë më të thellë se sa ai i burrit me gruan. Dhe s’ka shpëtim. Fatbardhësisht natyra ime është e tillë që unë shkoj mirë me çdonjërin dhe jam në gjendje të shtyp emocione të ndryshme. (Nganjëherë është e vështirë, por të shprehesh hapur para tyre mund t’i bëj gjërat edhe më ferr). Lexova një artikull në RP (Rude pravo) rreth eksperimenteve të kryera nga shkencëtarët rreth impaktit psikologjik mbi njerëzit që jetojnë në një hapësirë të mbyllur për një periudhë të gjatë. Më duhet të buzëqesh. E kanë një laborator për këtë pikërisht këtu dhe s’janë të vetëdijshëm për këtë.
/Marrë nga Vaclav Havel, ‘Letters to Olga – June 1979 – September l982’, Owl book, 1989
/Përkthimi Gazeta Express
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...