Opozita e qendrës së djathtë e Grenlandës ka korrur një fitore të papritur në zgjedhjet e përgjithshme – në një votim të dominuar nga temat e pavarësisë dhe premtimit të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll territorin gjysmë autonom.
Partia Demokratike, e cila favorizon një qasje graduale ndaj pavarësisë nga Danimarka – ka arritur rreth 30% të votave, tregojnë rezultatet thuajse të përfunduara.
“Grenlanda ka nevojë që ne të qëndrojmë së bashku në një kohë me interes të madh nga jashtë”, tha kreu i partisë Jens-Frederik Nielsen për mediat lokale, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
“Ka nevojë për unitet, ndaj do të hyjmë në negociata me të gjithë”, tha ai.
Partia e tij tani do të duhet të negociojë me partitë e tjera për të krijuar një koalicion.
Grenlanda – ishulli më i madh në botë, midis Oqeanit Arktik dhe Atlantik – është kontrolluar nga Danimarka, gati 3000 km larg, për rreth 300 vjet.
Grenlanda i drejton punët e saj të brendshme, por vendimet për politikën e jashtme dhe të mbrojtjes merren në Kopenhagë.
Pesë nga gjashtë partitë kryesore në zgjedhje favorizojnë pavarësinë nga Kopenhaga, por nuk pajtohen për ritmin me të cilin do të arrihet.
Partia Demokratike, vota e së cilës u rrit me më shumë se 20% në vitin 2021, konsiderohet një parti e moderuar për pavarësi.
Një tjetër parti opozitare, Naleraq, e cila kërkon të nisë menjëherë procesin e pavarësisë dhe të krijojë lidhje më të ngushta me SHBA-në, është në rrugën e duhur për vendin e dytë me pothuajse një të katërtën e votave.