Një ditë para Samitit të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri në 16 maj, liderët e Këshillit Europian dhe të Bashkimit Europian do të mblidhen në një darkë pune në Tiranë me udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë zhvillim të rëndësishëm që i paraprin mbledhjes në Tiranë të Samitit të Komunitetit Politik Europian në 16 maj.
“Ndërkohë që kemi filluar paralelisht përgatitjet për samitin e madh të të gjithë Komunitetit Politik Europian në Shqipëri në 16 maj, para samitit, BE dhe Këshilli Europian, të gjithë liderët e BE-së kanë vendosur të vijnë në datën 15 maj për një darkë pune me mua dhe liderët e tjerë të rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Rama.
Kryeministri informoi se “në 15 maj do të mikpresim liderët e Këshillit Europian dhe gjithë liderët e BE-së dhe në 16 maj do të vijnë këtu liderët e të gjithë kontinentit me përjashtim të Rusisë”.
“Janë 46, nga Londra në Ankara, nga Lisbona në Baku, nga Oslo në Romë dhe Tbilisi dhe pa diskutim gjithë të tjerët që janë pjesë e BE-së. Kjo është Shqipëria e sotme”, u shpreh Rama.