Bayern Munich ka konfirmuar se portieri, Manuel Neuer e ka shqyer muskulin e tij të kofshës, pasi festoi një gol në fitoren prej 3-0 të klubit bavarez ndaj Bayer Leverkusenit.
Neuer, i cili e startoi ndeshjen e tij të 150-të në Ligën e Kampionëve, u zëvendësua në minutën e 58-të të ndeshjes, pak pas golit të shënuar nga Jamal Musiala për 2-0.
Vincent Kompany ka thënë se lëndimi i tij vjen si pasojë e festimit të golit, me Bayernin që tashmë ka konfirmuar se ai do të mbetet jashtë fushave për një kohë.
Ndonëse klubi nuk ka dhënë një periudhë se sa do të mungojë Neueri “Sky Sports Germany” raporton se ai do të mungojë katër ndeshje – duke humbur ndeshjen e dytë të Ligës së Kampionëve ndaj Leverkusenit.
Neuer, së bashku me Peter Gulasci janë portierët me më së shumti porta të paprekura në Bundesliga, me 11 sosh – portieri gjerman ka pranuar vetëm 15 gola në elitën e futbollit gjerman.
38-vjeçari kohëve të fundit ka pësuar një numër të madh të lëndimeve, me Neuerin që ishte jashtë fushave për 10 muaj pasi e theu këmbën e tij gjatë një incidenti në një qendër të skijimit në dhjetor të vitit 2022./GazetaExpress/