Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka përkujtuar përmes një shkrimi poetin, Xhevdet Bajraj në përvjetorin e lindjes së tij.
Shkrimi i plotë:
Kujtojmë sot Xhevdet Bajrajn ‘kërkuesin kokëfortë të parajsës së humbur’
Përkujtojmë sot Xhevdet Bajrajn (6 mars 1960 – 22 qershor 2022), poetin e jetës së kryqëzuar shqiptare, të ndryshimeve radikale dhe demokracisë tranzicionale, pasojat e të cilave ia kërcënuan paqen dhe i ngjallën revoltë. Poetin i cili botoi disa vëllime poetike dhe poetin e vlerësuar sa herë me çmime kombëtare e ndërkombëtare për krijimtarinë letrare, rikujtojmë këtu vlerësimin nga Ministria e Kulturës e Kosovës, dy herë për veprën më të mirë poetike me çmimin “Ali Podrimja” dhe për monodramën “Vrasja e mushkonjës” me çmimin “Katarina Josipi”.
Betejën e mbijetesës e ka zhvilluar në Kosovë, ndërkaq të jetës e të vdekjes në Meksikë. Në vargjet e veprave të tij, përherë Kosova dhe Rahoveci i tij i dashur. Përherë shqiptarët që endeshin tehut të shpatës ndër dekada.
Në prill të vitit 1999, nën kërcënimin e armëve, Bajraj u detyrua të largohet nga vendlindja duke kërkuar azil politik në Meksikë. Poeti i mërguar, i cili shkruante njëkohësisht shqip dhe spanjisht, e rrehu tehun e luftës dhe gjurmëve të saj gjerësisht në poezi. Bajraj eksploroi luftën dhe paqen, pafajësinë dhe trishtimin, duke kompozuar një meditim poetik përulës mbi ekzistencën njerëzore.