Arianit Koci, avokati i kryeinspektorit Hekuran Nikçi thotë se është i shqetësuar për ndalimin e këtij të fundit dhe mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje.
Koci në një postim në Facebook tha se ky ndalim është i panevojshëm dhe i pabazuar, pasi sipas tij, ai po hetohet pa prova konkrete.
“Z. Nikçi po hetohet pa prova konkrete për përgjegjësinë e tij penale, ndërsa mënyra se si po zhvillohet ky proces nuk i ngjan një hetimi të drejtë dhe ligjor.
Për më tepër, kjo është çështje e interpretimit juridik të veprimeve ligjore të palëve në një kontest administrativ”.
Tutje, Koci bëri të ditur se do të përdoren të gjitha mjetet ligjore për t’i mbrojtur të drejtat e Nikçit.
“Drejtësia duhet të mbetet e pavarur dhe e paanshme, pa u ndikuar nga faktorë politikë apo interesa të tjera. Do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e z. Nikçi dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent”, tha ai.
Theksojmë se sot kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në po këtë institucion, Naim Shalaku janë ndaluar për 48 orë, me urdhër të Prokurorit.
Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27.02.2025, e cila ka njoftuar më tej se Nikçi dhe Shalaku janë intervistuar nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Prishtinë.