Kryeministri Edi Rama tha se fjala kënetë me të cilën I referohet opozitës nuk është fjalë fyese por realitet.
Në një komunikim live në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy”, Rama deklaroi se koncepti i kënetës ka të bëjë me ujin e ndenjur ku rriten lloj-lloj speciesh.
“Kënetë nuk është në fakt fjalë fyese. Është një fakt, realitet, dukuri natyrore, gjeografike, gjeologjike që shfaqet në formën e një uji shumë të ndenjur ku rriten gjithëfarëlloj speciesh dhe ku për hir të së vërtetës, i biem edhe pak në qafë atyre specieve se kryejnë disa punë për të mbajtur balancën e natyrës. Është kënetë e mos më keq kjo opozita jonë. Kjo nuk është fare fjalë fyese, pasi fjalë fyese është t’i thuash tjetrit gjëra që nuk i ka dhe ta batërdisësh me ato gjëra”. “Nuk ka fyerje më të madhe se t’i thuash hajdut, mafioz, drogaxhi e me radhë”, tha Rama.
Gjithashtu Rama ka zbardhur detaje nga diskutimet që ka zhvilluar dje me gjithë grupet e punës dhe të organizimit dhe të patronazhistëve.
“Patronazhistët janë më të mobilizuar se asnjëherë tjetër dhe janë shumë të vendosur që t’i japin emrit të tyre një kuptim drithërues për të gjithë kundërshtarët, sidomos për ata që i përflasin apo përqeshin”, tha Rama. “Si në të gjithë botën demokratike, aty ku ka parti serioze jo këneta apo pseudoparti që i thonë vetes të reja dhe që të re kanë vetëm moshën e pronarëve të tyre, patronazhistët bëjnë ekzaktësisht punën. Shkojnë derë më derë, kontaktojnë, marrin përshtypjet dhe bëjnë listat, rishikojnë prapë e me radhë. Rëndësi ka se ata janë më të fortë se asnjëherë tjetër, ndërkohë që të tjerët as nuk e dinë se çfarë janë se po t’i kishin edhe partitë e tjera mbase do të ishin pak më të vështira betejat tona”, shtoi Rama.