Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin me qytetarët sot në platformat sociale u ndal te transformimet e sistemit të shërbimeve shtetërore dhe dixhitalizimit që ka çuar në tkurrjen dhe nxjerrjen jashtë sistemit të korrupsionit në vend.
Sipas kryeministrit, “këto janë ato transformimet strukturore sistemike që bëjnë që integriteti i proceseve të brendshme të mos jetë i lidhur me persona, por me makinerinë e shtetit. Modernizimi i sistemit bën që korrupsioni të tkurret apo të nxirret fare jashtë nga sistemi”.
“Në marrjen e një certifikate nuk ka më mundësi të bësh korrupsion, sepse sistemi e ka nxjerrë jashtë atë që ka në dorë të pengojë dhe të të thotë që shiko se duhet të paguash që unë të të jap këtë shërbim. Dhe nuk është vetëm për certifikatat, por për 95% të shërbimeve me dokumenteve të këtij shteti”, u shpreh Kryeministri Rama.
Kryeministri tha se Shqipëria nuk ka pasur kurrë një krizë urie në historinë e vet, që nga koha e Skënderbeut, madje sipas Ramës në raportet e shteteve të huaja, Shqipëria nuk konsiderohet më një vend i nënzhvilluar, por në zhvillim.
Kryeministri u ndal sërish te puna e SPAK dhe lufta antikorrupsion me sistemet e reja të drejtësisë duke theksuar se është tërësisht vullnet i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
“Pjesa e fundit që po thosha është lufta antikorrupsion me institucionet e reja të drejtësisë ky është vullnet i PS. Jemi përpara një fakti shumë të thjeshtë dhe dua që të gjithë ata që insistojnë në mënyrë sa qesharake, aq edhe të hidhur që këtu jemi të gjithë njësoj, këtu janë të gjithë për burg, rroftë SPAK-u. SPAK-u është një institucion i krijuar nga vullneti politik i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Sot, e kemi më të thjeshtë, SPAK-un e solli Amerika, e mban Amerika, se është Amerika që do i fusë të gjithë këta në burg, se Amerika, Amerika. Tani, Amerika nuk është më, sa për dijeni! Amerika i kishte njerëzit e vet që asistonin SPAK-un, hynin e dilnin në mëngjes e mbasdite te stacioni i trenit, nuk janë më. I ka tërhequr Amerika dhe për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona pavarësisht gjërave që kanë ndodhur ose s’kanë ndodhur keni dëgjuar ndonjë deklaratë të ambasadës amerikane për SPAK-un, apo drejtësinë?”, pohoi Kryeministri.