Emisioni “Favorit” rikthehet në ekranet tuaja me risi të mëdha, si në përmbajtje, ashtu edhe me ndryshime në ekip.
Sezoni pranveror e gjen “Favoritin” me analist të përhershëm Taulant Dajakun, të cilit i bashkohen edhe Arbnor Morina e Hajriz Hajdari.
Në “Favoritin” e sontëm, të ftuar janë edhe Gramoz Vokrri, Shpëtim Idrizi, Muhamet Rexhepi dhe Driton Latifi.

Gjatë diskutimit në studio, foli edhe Taulant Dajaku, i cili foli për garën për titull, por dha edhe një lajm “ekskluziv”.
Ai tha se Drita duhet t’i falënderohet largimit të lojtarëve kyç të Ballkanit, për shkëputjen në kreun e tabelës.
“Drita është skuadër e mirë shumë, e komponuar, por duhet edhe të falënderojë Ballkanin, për largimet e shumta, se përndryshe nuk do të kishte kaq shkëputje të madhe e të lehtë”, tha ai.
Tutje, Dajaku tha se shumë klube të Superligës po kanë probleme financiare.
“3-4 klube të Superligës së Kosovës kanë probleme financiare dhe nuk po munden të dalin nga borxhet. Këtë informacion e kam nga lojtarët që luajnë nëpër klube të tilla”, shtoi ai./GazetaExpress/