Emisioni “Favorit” rikthehet në ekranet tuaja me risi të mëdha, si në përmbajtje, ashtu edhe me ndryshime në ekip.
Sezoni pranveror e gjen “Favoritin” me analist të përhershëm Taulant Dajakun, të cilit i bashkohen edhe Arbnor Morina e Hajriz Hajdari.
Në “Favoritin” e sontëm, të ftuar janë edhe Gramoz Vokrri, Shpëtim Idrizi, Muhamet Rexhepi dhe Driton Latifi.

Gjatë diskutimit në studio, foli edhe sekretari i Llapit, Muhamet Rexhepi.
Rexhepi fillimisht foli për rezultatet e dobëta të skuadrës së Llapit, por duke bërë një krahasim goxha interesant.
“Paj, po hup edhe Manchester City në Angli, na ndodh edhe neve si Llap kjo”, tha ai.
Por, problemin më të madh, ai e ka me referimin në Superligën e Kosovës.
Sipas tij dhe Llapit, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina i ka humbur 17 pikë deri më tani në Superligën e Kosovës.
“Pas një mbledhjeje dhe një analize që e kemi bërë, na del se i kemi humbur 17 pikë deri më tani këtë sezon. Llapi nuk bën të dëmtohet, kemi një ekip të mirë, një organizim të mirë, një stadium të mirë. Jemi një imazh i mirë për Superligën e Kosovës. Federatës i lutemi mos të na dëmtojë”, tha Rexhepi.
Llapi gjendet në pozitën e tetë në tabelë./GazetaExpress/